Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Kavajës pasi akuzohen për vjedhje nën kërcënimin e armës.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Shtegtarët”, u bë kapja dhe ndalimi i: – B. D,  33 vjeç, banues në Thumanë Krujë dhe S. V.,  28 vjec,  banues në Tiranë.

Në një lokal në Golem, kanë vjedhur televizorë e sende të tjera, dhe pas disa ditësh, kanë shkuar përsëri në lokal dhe kanë kanosur me armë zjarri administratorin e lokalit, për të mos kallëzuar. Gjithashtu nën kërcënimin e armës, me qëllim që klientët të mos tregonin e të mos njoftonin Policinë, u kanë marrë 4 klientëve, aparatet celulare dhe janë larguar.

Të dy shtetasit e arrestuar, të dyshuar për një sërë vjedhjesh të ndodhura në Kavajë, Tiranë, Krujë, Kukës e Pukë. Njëri prej tyre është me precedent të theksuar kriminal, në fushën e armëmbjatjes pa leje, të vjedhjes, mashtrimit dhe kanosjes. Ndër të tjera, ata kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qera.

Policia ka sekuestruar një armë zjarri kallashnikov, sasi municioni luftarak dhe një shumë e konsiderueshme parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Njëkohësisht, dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në disa qytete të vendit, ku vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë në disa qytete të vendit, për dokumentimin e tyre.

Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, gjetën të fshehur në Thumanë  të Krujës, armën e zjarrit kallshikov, një sasi municioni luftarak si dhe një shumë parash 700.000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga shitja e sendeve të vjedhura dhe makinave të marra me qera, duke i tjetërsuar në pjesë këmbimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale  “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel