Protestat kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportën vazhdojnë këtë të diel pasdite në Lushnjë dhe Bulqizë.

Dhjetëra qytetarë të Bulqizës kanë dalë në protestë këtë të diel pasdite, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe të produkteve të shportës. Protestuesit kanë bllokuar aksin nacional Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Tiranë, ndërsa në terren kanë mbërritur forca të shumta policie.

Edhe në Lushnjë, fermerët kanë dalë në protestë me tre kërkesa kryesore. Kërkesa që fermerët i parashtrojnë qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë janë rritja e fondit të naftës pa taksë për mekanikën bujqësore, rritja e numrit te subvencioneve dhe heqja e kritereve përjashtuese për subvencionet.

Protesta është organizuar përpara Drejtorisë së Bujqësisë së rrethit, aty ku bëhen aplikimet për skemat mbështetëse.

Paraditen e sotme, qytetarët protestuan mbi dy orë këtë të diel para Kryeministrisë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, kundër rritjes së çmimeve.

Nga sheshi “Skënderbej”, ata marshuan drejt Kryeministrisë dhe më pas bllokuan kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” pranë Gjykatës së Lartë.

Aty u desh ndërhyrja e policisë për të larguar protestuesit dhe hapur rrugën.

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.

Protestuesit në Tiranë marshuan drejt Kryeministrisë me banderolën “Boll na vodhët!”.

Sot ata protestuan jo vetëm për çmimet, por edhe për lirimin e protestuesve të cilët u arrestuan një ditë më parë.

Edhe këtë fundjavë protestuesve iu bashkuan qytetarët e “5 Majit” dhe zonës së Laprakës.

Ishte një protestë paqësore, ku mbajtën fjalën disa prej aktivistëve.

Avokati Adriatik Lapaj tha për Top Channel se protesta do të vijojë deri në momentin kur qytetarët do të duan të dalin të protestojnë.

Pavarësisht vendosjes së Paketës të Rezistencës Sociale, ata dolën sërish në protestë.

Qytetarët gjithashtu protestuan në Kukës, Devoll dhe Korçë, me pankarta në duar dhe thirrje qeverisë.

Një ditë më parë, Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarbureve vendosi që çmimi i naftës të  shkonte 217 lekë për litër.

FOTO GALERI
11/44

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA