Gjashtë pushues pranvere në një shtëpi me qera në Florida, SHBA u dërguan në spital nga mbidoza e kokainës së përzier me opiatin e fuqishëm fentanil, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë, thanë autoritetet.
Ambulancat kishin ardhur mëngjesin e sotëm në parkun e pushimit Wilton Manors dhe gjetën gjashtë të rinjtë në arrest kardiak nga mbidoza e drogave, tha kreu i grupit të emergjencës Stephen Gollan për rrjetin WPLG.
“Nisëm menjëherë aplikimin e Narcan ndaj personave në overdozë,” tha Gollan, duke iu referuar mjekimit inovativ që neutralizon efektet e mbidozës prej drogave opiate. “Kjo ishte shumë alarmuese për ne.”
Studentët kishin konsumuar atë që besonin se ishte kokainë, por që në fakt ishte përzier me fentanil — që është droga opiate sintetike disa dhjetra herë më e fortë se morfina, sipas udhëzimeve të administratës amerikane të drogave ‘Drug Enforcement Administration’.
“Është një drogë shumë e fortë dhe ndalon zemrën e frymëmarrjen,” shtoi Gollan për rrjetin NBC Miami.
Autoritetet shtuan se vetëm katër nga studentët kishin përdorur kokainën e kontaminuar ndërsa dy të tjerët ishin sëmurur teksa përpiqeshin të shpëtonin viktimat fillestare të overdozës.
“Kur ata pësuan arrest kardiak, dy miqtë nisën t’u jepnin frymëmarrje artificiale dhe me të u ekspozuan ndaj fentanilit në frymë” tha Gollan, sipas mediave në SHBA.
Një nga studentët u shtrua në spitan në gjendje të rëndë, kurse pesë të tjerë përshkruheshin si në gjendje të stabilizuar, shkruan NBC Miami.
“Pushimet e pranverës kanë nisur në disa komunitete, prandaj këtu ka njerëz.”
Një fqinje e apartamentit të të rinjve tha se nuk kishte parë asgjë të pazakontë para se të merrte lajmin.
“Ata dukeshin djem të mirë, studentë tipikë universiteti, bënin pak zhurmë në pishinë por nuk meritonin këtë”, tha ajo për CBS Miami.
Policia më vonë paralajëmroi të gjithë pushuesit e rinj në jug të Florida kundër përdorimit të drogave apo përzierjes së tyre me alkool dhe substanca të tjera.
Sipas shifrave të nëntorit vdekjet nga mbidoza në SHBA janë rritur me 30 përqind në krahasim me vitin e kaluar.
Llogaritet se 100,306 njerëz kanë vdekur nga mbidoza e drogave në SHBA në 12-muajt që përfunduan prillin e shkuar, në krahasim me 78,056 për të njëjtën periudhë një vit më herët.
Vdekjet nag drogat opiate (me bazë opiumi) ku përfshihet dhe fentanili i fuqishëm, përbënin 75 përqind të shifrave.
Top Channel