Zëvendës-presidentja amerikane Kamala Harris është kritikuar dje pasi nisi të qeshë gjatë konferencës së shtypit në Poloni kur dikush e pyeti nëse SHBA do të pranojë refugjatë nga lufta në Ukrainë.
Momenti i sikletshëm ndodhi në Varshavë gjatë konferencës së shtypit me presidentin polak Andrzej Duda.
Gazetarët po u bënin dy liderëve pyetje të ngjashme në lidhje me pranimin nga SHBA të refugjatëve të krizës në Ukrainë, për të lehtësuar presionin ndaj burimeve humanitare të Polonisë.
Kur një gazetar i drejtoi amerikanes pyetjen, Harris e Duda shikuan njëri tjetrin për të kuptuar se cili duhet të përgjigjej.
“OK,” tha më në fund Harris, duke bërë të qeshnin disi Duda dhe gazetarët prezentë.
“Një shok në nevojë, është një shok i vërtetë,” tha zv. presidentja, para se të niste të qeshte me zë.
Teksa atmosfera zbavitëse u desh disa sekonda të shuhej, polaku Duda konfirmoi se në bisedime i kishte kërkuar Harris të përshpejtohej procesi i bashkimit familjar për refugjatët ukrainas.
“Ne po kërkojmë mbështetje ndërkombëtare pasi me të vërtetë shumica e ukrainasve po vijnë në Poloni”, tha polaku.
Zv. presidentja tha se ukrainasit në SHBA me viza pranë datës së skadencës do të lejohen të qëndrojnë në vend.
“Ne nuk do t’i kthejmë ata në një zonë lufte,” tha Harris.
Por shpejt shumë kritikë kritikuan Harris në rrjetet sociale duke thënë se çështja e refugjatëve “nuk ka asgjë për të qeshur.”
“Vetëm Kamala Harris i vjen për të qesdhur kur flitet për refugjatë nga Ukraina,” komentonte Benny Johnson i grupit konservator ‘Turning Point USA’.
“Kamala Harris ishte e qartë në komentet e saj me liderin polak,” tha dhe ish-konsulenti i Donald Trump, George Papadopoulos. “Ajo qesh përsëri nga sikleti, por të diskutosh për refugjatët nuk është për të qeshur”.
Edhe në një tjetër intervistë në gusht, Harris kishte ndërprerë pyetjet e gazetarëve për tërheqjen e dështuar të SHBA nga Afganistani. “Me ngadalë, me ngadalë — qetësohuni njeherë,” tha ajo para se të niste të qeshte.
Top Channel