”T`i ulim gjakrat”: Rusi-Ukrainë takohen në Turqi, Ankaraja negociatore

09/03/2022 18:52

Për të parën herë që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, do të ketë një takim të ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës.

Sytë të enjten do të drejtohen nga Antalia e Turqisë, ku pritet të përballet shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.  Lavrov do të marrë pjesë në një forum diplomatik ndërkombëtar në qytetin resort, dhe “kontakti” i tij me Kuleban planifikohet të ndodhë atje, raporton agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Nisma për mbajtjen e këtij takimi erdhi nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, që sqaroi se ai do të jetë në formë trepalëshe. Cavusoglu do të ulet dhe vetë në tryezë me Kuleban dhe Lavrovin. Bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës kanë qenë deri më tani një sfidë e vërtetë, pasi ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Delegacionet e të dyja palëve kanë zhvilluar tri raunde të negociatash në Bjellorusi, dhe i vetmi rezultat ishte hapja e korridoreve për largimin e civilëve.Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e quan “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Top Channel