Në një bisedë telefonike me homologun rus Sergei Shoigu, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar e bëri të qartë se Ankaraja pret mbështetjen Moskës për kthimin e sigurtë të anijeve tregtare turke të bllokuara në portet ruse për shkak të situatës aktuale në Ukrainë.

Sipas deklaratës së ministrisë që ai drejton, biseda mes Akar dhe Shoigu u fokusua tek zhvillimet në Ukrainë. Aty u tha se “negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të kontribuojnë ndjeshëm në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe përmirësimin e situatës humanitare në mënyrë që një zgjidhje e përhershme të jetë e mundur”.

Duke nënvizuar sesa e rëndësishme është të shpallet një armëpushim në të gjithë Ukrainën në mënyrë që të rivendoset paqja e stabiliteti pa humbje të mëtejshme jetësh njerëzore, ministri turk u shpreh se përpjekjet për të hapur korridoret humanitare për evakuimin e civilëve janë të mirëpritur.

Megjithatë, ai e ktheu dhe një herë vëmendjen tek anijet turke që presin në porte. Në fund të shkurtit, Turqia ndaloi qarkullimin e anijeve luftarake përmes ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve, të cilat lidhin Detin Marmara dhe Egje me Detin e Zi. Në këtë mënyrë, ajo bllokoi  katër anije luftarake ruse në Mesdhe që prisnin lejen e kalimit.

Edhe pse ka një raport të mirë me Vladimir Putinin, Erdogan e ka dënuar sulmin rus në Ukrainë dhe është ofruar disa herë të ndërmjetësojë mes palëve.

 

 

 

Top Channel