Rudina Hajdari: Me Bashën e Berishën nga PD do mbetet veç disa faqe në historinë e Shqipërisë

08/03/2022 13:07

Ish-deputetja Rudina Hajdari ka reaguar pas disfatës së PD-së në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, duke u shprehur se me Lulzim Bashën e Sali Berishën PD do shkojë drejt shuarjes.

“Si ish deputete e PD kjo më dhemb, e si bija e Azem Hajdarit kjo më tmerron”, ka thënë Hajdari për rezultatin e zgjedhjeve të 6 marsit.

Ajo u bën thirrje Bashës dhe Berishës që t’i japin fund absurdit dhe shkatërrimit të PD, të tërhiqen për t’ia lënë vendin një lidershipi të ri, me vizion, me pasion, me energji dhe pa ngarkesa nga e kaluara.

Postimi i plotë:

Nuk kam fjalë për ta përshkruar ndjesinë e tmerrshme që pata dje kur pashë se Partia e themeluar nga im atë dhe qindra studentë guximtarë, të cilët luftuan me regjimin komunist për të instaluar demokracinë në Shqipëri, u katandis nga forca që solli lirinë dhe demokracinë në një parti të vogël e pa mbështetje elektorale.

Si ish deputete e PD kjo më dhemb, e si bija e Azem Hajdarit kjo më tmerron. PD nuk është prona as e Lulzim Bashës e as e Sali Berishës, të cilën ata mund ta shpenzojnë, shpërdorojnë, shkatërrojnë sipas interesit të tyre personal. PD është themeli i demokracisë shqiptare.

Themel i larë me gjakun e njerëzve që dhanë jetën për të e me djersën e ballit të qindra mijëra qytetarëve të cilët besuan dhe luftuan për një Shqipëri ku jetohet me dinjitet e në liri. Ndaj dua sot ti bëj thirrje si Bashës dhe Berishës që ti japin fund absurdit dhe shkatërrimit të PD, të bëjnë të dy pas dhe ti hapin rrugës një gare e cila do të mundësojë ardhjen në PD të një lidershipi të ri, me vizion, me pasion, me energji dhe pa ngarkesa nga e kaluara.

I bëj thirrje gjithë demokratëve që të mos heshtin më, të mos përulen më para atyre që po shkatërrojnë Partinë Demokratike por të bashkohen për të kërkuar një drejtim të ri. PD ka qenë partia që i ka bërë shqiptarët të ëndërrojnë për Europën, për një të ardhme të ndritur e plot begati. PD ka mundësi sërish ta kryejë këtë mision, por kjo nuk arrihet as me Bashën e as me Berishën.

Nëse ata vazhdojnë betejën e tyre për plaçkë e interesa të vogla, nga PD do mbetet veç disa faqe në historinë e Shqipërisë. Ata nuk frymëzojnë më askënd, rezultatet e djeshme e tregojnë qartë këtë.

Çdo demokrat, çdo militant, çdo zyrtar, çdo deputet i PD që nuk ka hyrë aty për plaçkë por për ideal e pasion duhet sot të ngrejë krye e të shpëtojë PD nga shkatërrimi e zhdukja. SOT! Nesër do të jetë vonë!

Shumica e anëtarëve të Grupit të Partisë Demokratike kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë Lulzim Basha gjatë mbledhjes mbi katër-orëshe një ditë më parë, pas dështimit në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki.

Agron Gjekmarkaj vendosi të japë dorëheqjen si nënkryetar i PD-së, kurse Dashnor Sula deklaroi se është gati të lërë detyrën e deputetit, nëse nuk ndryshon situata aktuale në PD.

Gjatë mbledhjes, vetëm Flamur Hoxha, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri ishin në krah të Bashës, ndërsa pjesa tjetër ishin pro dorëheqjes nga posti dhe mbajtjes së zgjedhjeve në parti.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.

Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA