Putin “dhuratë” 8 marsi: Nuk do dërgojmë në front rekrutë e rezervistë

08/03/2022 14:03

Në një video të publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Vladimir Putin theksoi se rekrutët dhe rezervistët nuk po thirren për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.

Mesazhi i tij kishte për qëllim të zbuste shqetësimet e grave ruse, dhe shefi i Kremlinit u përpoq të shfaqej mirëkuptues për to.

Më lejoni të theksoj se ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak, nuk marrin dhe nuk do të marrin pjesë në armiqësi… Për detyrat e caktuara zgjidhen vetëm ushtarakë profesionistë. Unë e kuptoj se sa shqetësoheni për të dashurit tuaj. E vlerësoj besnikërinë dhe mbështetjen e grave. Ju e bëni botën më të mirë falë ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe bujarisë suaj shpirtërore“, tha Putini.

Sulmi rus në Ukrainë nisi në 24 shkurt me urdhër të Putinit, i cili i mbajti për javë të tëra trupat e Moskës të grumbulluara kërcënueshëm në kufirin e vendit fqinj pasi nuk mori garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes. Megjithatë, ushtria ruse hasi në një rezistencë që nuk e priste në Ukrainë, si nga ushtarët vendas, ashtu edhe nga civilët. Disa media kanë raportuar se edhe rekrutë rusë janë dërguar në luftë, megjithatë këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ushtria ukrainase thotë se ka vrarë me mijëra trupa ruse, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë është përpjekur t’i shmanget shifrave specifike, dhe ka përmendur tani vonë vetëm 500 të vrarë.

Top Channel