Ministri ukrainas apel kompanive ndërkombëtare: Pezulloni operacionet në Rusi

08/03/2022 14:14

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i ka bërë apel kompanive ndërkombëtare që të ngrijnë ose të braktisin operacionet e tyre në Rusi.

Ai bëri thirrje tu bashkohen bizneseve globale të përgjegjshme etike dhe shoqërore të cilat kanë pezulluar veprimtarinë e tyre në Rusi. Sipas tij, kjo është  një mënyrë që ata të mos kontribuojnë në shtimin e dhunës, vrasjeve dhe krimeve kundër njerëzimit.

“Ju bëj thirrje juve dhe organizatës suaj që t’i bashkoheni bizneseve globale të përgjegjshme etike dhe shoqërore, të cilat tashmë kanë ndaluar ose pezulluar operacionet me ose në Federatën Ruse, duke refuzuar të financojnë dhunën, vrasjet dhe krimet kundër njerëzimit me taksat e tyre,” tha Kuleba, në një shkrim në Twitter.

Më tej ai Kuleba shkruan se sapo Ukraina të fitojë luftën do të punojnë fort për t’u bërë një anëtare me të drejta të plota në Bashkimit Evropian.

“Sapo Ukraina të fitojë këtë luftë, ne do të fillojmë të rinovojmë infrastrukturën dhe ekonominë tonë, duke vazhduar rrugën e reformave për t’u bërë një anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, dëshiroj të ftoj kompaninë tuaj të shprehë solidaritetin me Ukrainën dhe t’u bashkohet kompanive të tjera shumëkombëshe, të cilat tashmë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të filluar ose rifilluar biznesin në vendin tim,” shton Kuleba.

Deri më tani disa kompani kanë bllokuar veprimtarinë e tyre në Rusi, ndërsa disa të tjera, si Coca Cola dhe MacDonalds, po përballen me një reagim të ashpër për të mos u tërhequr nga Rusia.

Top Channel