Historia që fshihet pas fotos së familjes së vrarë në Irpin

07/03/2022 11:44

Të hënën, faqja e parë e Nju Jork Times dhe shumë gazetave të tjera italiane dhe ndërkombëtare si Repubblica, La Stampa dhe El Pais publikuan një seri fotosh që tregonin një familje ukrainase të vrarë nga një predhë artilerie.

Por foto-ja më e pranishme në gazeta është realizuar në Irpin, afër Kievit nga fotoreporterja e njohur amerikane Lynsey Addario.

Ajo foto tregon katër persona, –  një burrë, një grua dhe dy fëmijë, të shtrirë në tokë, të cilët nuk i kanë lëshuar çantat e shpinës dhe valixhet e tyre nga dora,- nëna dhe dy fëmijët të vrarë nga një bombë ruse, burri i gjakosur, por ende gjallë dhe disa ushtarë që përpiqeshin t’i jepnin ndihmën e parë mjekësore.

Ashtu si qindra refugjatë të tjerë ukrainas, katër personat e portretizuar në foto sapo ishin përpjekur të kalonin lumin Irpin, i cili ndan qytetin me të njëjtin emër nga Kievi. Predha ruse i goditi ata menjëherë pas kalimit, ndërsa ata ishin duke u përpjekur për të mbërritur në kryeqytet.

Irpin është një qytet me rreth 60.000 banorë në perëndim të Kievit. Prej disa ditësh është bombarduar nga ushtria ruse, e cila ka detyruar mijëra persona të largohen nga qyteti. Për t’u larguar, megjithatë, duhet të kalosh lumin; por ura që përdorej për ta kaluar atë, si shumë të tjera, u shkatërrua nga ushtarët ukrainas gjatë ditëve të fundit, me qëllimin për të ngadalësuar përparimin e rusëve drejt Kievit.

Prandaj, ata që përpiqen të largohen nga Irpin, duhet të kalojnë nëpër rrënoja, me shumë vështirësi. Gjatë këtyre ditëve kanë qarkulluar foto të ndryshme që tregojnë ushtarë ukrainas që ndihmojnë qytetarë të ndryshëm, përfshirë edhe të moshuar, të kalojnë nëpër rrenojat e disa urave të shembura.

Të dielën në mëngjes, autoritetet lokale lajmëruan qytetarët të kenë kujdes, pasi rruga për të dalë nga qyteti Irpin është shumë e rrezikshme për shkak të bombardimeve ruse. Pavarësisht këtij paralajmërimi, shumë njerëz kishin tentuar të arratiseshin, të cilin vraponin në grupe për t’u shpëtuar goditjeve të ushtrisë ruse.

Kjo e fundit, megjithatë, nuk i ndali bombardimet e saj. Ekipi i Nju Jork Times ishte i pranishëm në vendngjarje dhe filmoi gjithçka çfarë ndodhi aty.

Referuar asaj çfarë kanë deklaruar ata, familja e fotografuar nga Addario të dielën kishte arritur të kalonte urën dhe ishte goditur nga një bombë ndërsa po ecte përgjatë një rruge që të çonte në Kiev.

Në videon e publikuar nga Nju Jork Times shihet momenti i shpërthimit të predhës, vetëm pak metra larg familjes. Menjëherë pas shpërthimit, disa persona të tjerë vihen re duke ikur, ndërsa disa të tjerë dëgjohen tek bërtasin për ndihmë dhe në fund, si për t’i shtuar akoma edhe më tragjizmin ngjarjes, një qen dëgjohet duke lehur në sfond.

Përveç katër anëtarëve të familjes, nga shpërthimi vdiq edhe një person tjetër, ndoshta një mik i familjes që po i ndihmonte ata të arratiseshin.

Një tjetër foto që ka qarkulluar shumë dhe që është botuar në gazeta të ndryshme tregon dhjetëra qytetarë ukrainas të fshehur poshtë një ure të shkatërruar, ndërsa presin për t’u larguar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA