Të hënën, vetëm disa ditë para pushtimit të plotë të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin njohu pavarësinë e dy republikave të vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut në pjesën lindore të vendit.
Putin e lajmëroi pavarësinë e dy republikave pro-ruse përmes një fjalimi të gjatë, i cili në thelb, kishte mohimin e ekzistencës së Ukrainës si një shtet i pavarur. Sigurisht nuk është hera e parë që Rusia përdor njohjen e territoreve separatiste apo të pakicave etnike si pretekst për të ndërhyrë në politikën e një shteti tjetër, apo edhe për t’u futur ushtarakisht. Në Ukrainë, analistë të ndryshëm, janë të bindur se qëllimi i Rusisë është të përmbysë qeverinë dhe të vendosë një regjim të ri, më të favorshëm, duke e transformuar të gjithë vendin në një farë mënyre në një “republikë pro-ruse”.
Për vite me radhë, Putin ka synuar për të rivendosur ndikimin rus në territoret ish-sovjetike që ende kanë ruajtur lidhje kulturore dhe politike me Rusinë. Përveç republikave të vetëshpallura të Luhanskut dhe Donestkut, ka edhe territore të tjera që pas përfundimit të Bashkimit Sovjetik, janë shpallur të pavarura duke u mbështetur drejtpërdrejtë nga Rusia.
Edhe sot, shumë prej këtyre territoreve e përkufizojnë veten si të pavarura, por nuk njihen nga komuniteti ndërkombëtar dhe në fakt ato janë një protektorat i Rusisë dhe që varen prej saj si nga pikëpamja ekonomike, ushtarake dhe politike. Në disa prej këtyre territoreve, ndër të tjera, qytetarët mund të marrin nënshtetësinë ruse, ose mund të marrin një pasaportë të dyfishtë.
Osetia e Jugut
Gjeorgjia është një shtet kaukazian që ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, i përbërë nga grupe të ndryshme etnike shpesh në konflikt me njëri-tjetrin. Brenda vendit ka dy territore separatiste që gëzonin autonomi të gjerë gjatë epokës sovjetike dhe të cilat, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 1991, filluan të paraqesin kërkesa për pavarësi nga Gjeorgjia. Një prej tyre është Osetia e Jugut, ku jetojnë rreth pesëdhjetë mijë njerëz, kryesisht të përkatësisë etnike osetiane.
Osetia e Jugut shpalli pavarësinë në vitin 1991, por provokoi një reagim të ashpër represiv nga qeveria gjeorgjiane. Përplasja ushtarake erdhi me ndërhyrjen e paramilitarëve nga Osetia e Veriut, e cila ndodhet në Rusi. Qeveria gjeorgjiane akuzoi Rusinë se ka ndihmuar masivisht militarët osetianë, duke iu dërguar automjete dhe forca ushtarake.
Për muaj të tërë, përplasja vazhdoi në disa faza të ndryshme, më pas në vitin 1992, Rusia i propozoi qeverisë gjeorgjiane një armëpushim, të nënshkruar në Soçi, më 24 qershor. Qeveria gjeorgjiane pranoi gjithashtu sepse në atë kohë situata po përkeqësohej në një rajon tjetër separatist, Abkhazi.
Marrëveshja e Soçit e la Osetinë e Jugut në një situatë hibride, të ndarë mes Gjeorgjisë dhe qeverisë lokale të panjohur nga vendet e tjera. Me pak fjalë, ishte një zgjidhje e përkohshme dhe në fakt, pas disa vitesh pati edhe disa episode dhune mes dy palëve, por konflikti u ringjall në vitin 2008 edhe më dhunshëm se në vitet 1990.
Kësaj radhe, ndërhyrja e Rusisë, tashmë e udhëhequr nga Vladimir Putin, ishte më vendimtare. Ushtria ruse pushtoi territorin gjeorgjian dhe në pesë ditë i dha fund konfrontimit të armatosur. Kjo luftë shënoi me qindra viktima, mijëra refugjatë dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, u përkeqësuan, si dhe përgjigjia e vendeve perëndimore në Gjeorgji u gjykua si e dobët nga opinioni publik më vonë.
Po ashtu, Republika e Osetisë së Jugut njihet nga shumë pak vende; Rusia, Siria, Venezuela, Nauru dhe Nikaragua.
Abkhazia
Në skajin perëndimor të Gjeorgjisë është një tjetër territor i shkëputur. Abkhazia, ashtu si Osetia, kishte autonominë e saj brenda ish-republikës sovjetike të Gjeorgjisë. Dhe ashtu siç ndodhi me Osetinë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kjo autonomi çoi në pretendimet për pavarësi, theksuar akoma edhe më shumë për shkak të pozicioneve nacionaliste që po merrte qeveria gjeorgjiane në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990.
Gjeorgjia u përpoq të kundërshtonte autonominë e Abkhazisë, e cila megjithatë shpalli pavarësinë duke rikthyer Kushtetutën e vjetër që kishte qenë në fuqi përpara Bashkimit Sovjetik, në vitin 1925. Më pas, filloi lufta, e cila u quajt si Lufta e Dytë Ruso-Gjeorgjiane, ku morën pjesë forcat paramilitare nga Kaukazi i Veriut, veçanërisht nga Çeçenia dhe Rusia, e cila ofroi edhe mbështetje ajrore për abkazët.
Edhe në Abkhazi pasojat e luftës ishin shkatërruese, por ndryshe nga Osetia, ajo arriti të rikuperohej më shpejt, për shkak të burimeve të mëdha ekonomike, kryesisht turizmit dhe autonomisë së saj energjetike. Abkhazia është edhe më e populluar se Osetia, mbi 200 mijë njerëz jetojnë atje.
Pas luftës pati konflikte të ndryshme me gjeorgjianët, derisa në vitin 2008 Rusia njohu pavarësinë e Abkhazisë. Që atëherë, për Gjeorgjinë, Abkhazia ka qenë zyrtarisht një territor i pushtuar nga rusët. Si në Osetinë e Jugut, ashtu edhe në Abkhazi, Rusia vazhdon të mbajë forca ushtarake, sipas saj që shërbejnë vetëm për operacione paqeruajtëse.
Në vitet e fundit, Abkhazia ka kaluar nëpër një periudhë të trazuar politike. Në vitin 2014, politikat e hapjes ndaj pakicave etnike gjeorgjiane në Abkhazi, të aplikuara nga presidenti i atëhershëm Aleksandr Ankvab, çuan në protesta të mëdha popullore dhe në dorëheqjen e Ankvabit.
Ka pasur edhe protesta të tjera kohët e fundit, në dhjetor të vitit 2021, të organizuara nga disa lëvizje politike që kundërshtojnë presidentin aktual, Aslan Bzhania. Një nga arsyet e protestave është privatizimi i një termocentrali të madh.
Transnistria
Transnistria është një rrip i hollë toke mes Ukrainës dhe Moldavisë. Aty jetojnë 500 deri në 600 mijë njerëz dhe gjatë shekullit të XX-të, Rumania dhe Bashkimi Sovjetik, kanë pretenduar për të. Në periudha të ndryshme ka qenë pjesë e të dyjave dhe kjo ka ndikuar në krijimin e një ndarje të qartë në popullatë.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësisë së Moldavisë, Transnistria mbeti e aneksuar me këtë të fundit, por vetëm për një periudhë të shkurtër. E shtyrë nga shumica e qytetarëve rusë dhe ukrainas që jetojnë brenda saj, ajo e shpalli vetën të pavarur dhe në vitin 1992 transnistrianët dhe rusët luftuan për pavarësi kundër moldavëve dhe rumunëve. Pas katër muaj luftë dhe një mijë viktimash, Transnistria e shpalli veten republikë të pavarur, pavarësisht se nuk e njeh askush.
Vite më vonë u bë një përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për situatën në Transnistri. Në 2005, filloi një dialog shumëpalësh me Rusinë, Moldavinë, Ukrainën dhe vendet e OSBE-së për të gjetur një marrëveshje për krijimin e një Moldavie federale, e cila do të përfshinte edhe Transnistrinë. Por, negociatat patën vështirësi për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia. Që atëherë është folur rregullisht për një aneksim hipotetik të Transnistrisë nga Rusia, veçanërisht pas një deklarate të kreut të parlamentit lokal në vitin 2014.
Nagorno-Karabakh
Në Nagorno-Karabakh, ndërhyrja e Rusisë i përket kohëve të fundit dhe daton në fund të vitit 2020, vit pas të cilit territori Kaukazian u bë një tjetër protektorat rus. Më pak se 150 mijë njerëz jetojnë në Nagorno Karabakh.
Ai ndodhet zyrtarisht në Azerbajxhan, por që kontrollohet nga Armenia. Aty u zhvillua një luftë që filloi në shtator të 2020-ës dhe zgjati dy muaj, për përfundimin e të cilës, Rusia dhe Turqia negociuan një armëpushim. Sot në Nagorno-Karabakh ka pothuajse dy mijë ushtarë rusë, zyrtarisht si forcë paqeruajtëse. Rusia vazhdon të shpërndajë pasaporta ruse për qytetarët vendas.
Top Channel