Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vendosi që të realizohet transferimi i pesë qendrave të votimit në bashkinë e Shkodrës, nga 11 që kërkoi kryebashkiakja Volta Ademi.

Qendrat që do të transferohen janë 0116, 0117, 0118, 0119 dhe 0119/1 që lidhin fshatin Shalë me Thethin brenda së njëjtës njësi administrative.

Sot komisioneri rishqyrtoi kërkesën e Voltana Ademit për transferimin e 11 qendrave të votimit që janë në zonat e mbuluara nga dëbora.

Marash Logu, përfaqësuesi ligjor i PD-së tha se është një përpjekje nga ana e Ademit për të dëmtuar procesin zgjedhor.

“Do donim te njiheshim me tre akte. Shkresa e Bashkisë Shkodër për caktimin e QV. Ajo mbështet Bardh Spahinë se edhe në zgjedhjet e tjera të njëjtat kushte kanë qenë”, tha Logu.

Nesër mbahen zgjedhjet në gjashtë bashki, Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme .

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.

Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.

Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.

Sot është heshtje zgjedhore për t’i lënë vendin procesit zgjedhor që do të nisë në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA