OKB dënon sulmin në centralin bërthamor/ Ambasadori rus: E bënë vetë ukrainasit

04/03/2022 23:09

Sulmi i Rusisë gjatë natës mbi një termocentral bërthamor në Ukrainë është një përshkallëzim i rrezikshëm që “përfaqëson një kërcënim të tmerrshëm për të gjithë Evropën dhe botën”, kështu tha ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.

“Me ndihmën e Zotit, bota shmangi për fat një katastrofë bërthamore mbrëmë. Objektet bërthamore nuk mund të bëhen pjesë e këtij konflikti. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga aty për të lejuar trajtimin mjekësor për personelin e lënduar, për të siguruar që operatorët të kenë akses të plotë në vend dhe të jenë në gjendje të komunikojnë me rregullatorët bërthamorë dhe të lejojnë ata të kryejnë ndryshime në turn për të siguruar funksionimin e uzinës. Putin duhet ta ndalojë këtë çmenduri dhe ta ndalë atë tani.”

Por Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara mohoi akuzat se forcat ruse kishin bombarduar termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Zaporizhzhia.

“Këto deklarata janë thjesht të pavërteta. E gjithë kjo është pjesë e një fushate të paprecedentë të gënjeshtrave dhe dezinformatave kundër Rusisë”.

Ai tha se trupat ruse kishin shkëmbyer zjarr me armë të vogla me forcat ukrainase në Zaporizhzhia, por nuk e kishin bombarduar objektin në Ukrainën jugore.

Ai tha se luftimet ndodhën në një kompleks stërvitor “që ndodhet  jashtë territorit të termocentralit bërthamor” dhe akuzoi ukrainasit  si ata që i vunë zjarrin objektit të trajnimit.

Top Channel