“Lajmet janë jeta ime!” Kryeredaktori i Top Channel rrëfen momentet e paharrueshme nga redaksia tek “Ëndërrtjerrësit”

04/03/2022 21:30

Kryeredaktori i lajmeve në Top Channel, Altin Kreka rrëfeu tek “Ëndërrtjerrësit” se ishte pjesë e grupit të parë që u zgjodh për të krijuar newsroom-in.

Ai e cilësoi Top Channel një media me një audiencë të madhe, duke përmendur fenomenin Big Brother VIP, ku shqiptarët u mbyllën në shtëpi për të parë finalen.

“Shumë pak e dinë, unë kam qenë tek grupi i parë që u zgjodh për të bërë newsroom-in e Top Channel, në fillim të 2001-shit, një mbledhje e vogël e drejtorit të radios, ishin shumë pak persona. Unë e them jo pa modesti Top Channel është shumë më i madh se ç’ka qenë, ka qenë shumë më i bukur shumë më energjik, por tani është shumë më i madh, shumë më i plotë. Ju e patë se çfarë bëri Big Brother, mbylli njerëzit në shtëpi. Kjo është fuqia e Top Channel, ju e shihni se çfarë bën Top Channel kur ka ngjarje të mëdha, pandemia karantina, ne ishim gjithandej”, tha Kreka.

Studioja u kthye pas në kohë, në periudhën e protestave të shumta që përfshinë Tiranën dhe një prej fatkeqësive më të mëdha që kaloi vendi ynë, tërmeti i 26 nëntorit. Kreka permendi gjithë vështirësitë dhe ankthin për sigurinë e gazetarëve në terren.

Kjo që pamë është koha e protestave, shqetësimi ynë më i madh, ne që ishim larg gazit ishte siguria e gazetarëve. Kemi pasur kameramanë të lënduar, gazetarë që ishin në kushte të jashtëzakonshme. Ky ishte shqetësimi im, veç trasmetimit që duhet ta mbaje brilant, në nivelin e Top Channel nuk duhet ta ulje, duhet të ruaje dhe duhet të mendoje për sigurinë e gazetarëve. Një vendim i mi në atë moment, lëvizja e një gazetari në drejtim jo të  duhur mund të krijonte kosto”, tha ai.

Pak persona e dinë, por prej 10 vitesh Altin Kreka ka qenë pjesë e Top Story.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, 10 vjet”, tha Kreka.

Në lidhje me pyetjen e moderatores, Ori Nebiaj nëse e ka menduar ndonjëherë veten jashtë lajmeve, Kreka u shpreh se lajmet janë jeta e tij.

“Mbase pas shumë vitesh, por lajmet janë jeta ime”, tha ai.

Top Channel