Lufta ka krijuar lehtësi në përhapjen e Covid-19 në Ukrainë

02/03/2022 19:06

Gjendja e shfaqur në Ukrainë për shkak të luftës ka krijuar lehtësi për përhapjen e Covid-19, tha Dr.Mike Ryan, drejtor i Programit të Emergjencave Shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë një konference për shtyp të mërkurën.

Njerëzit qëndrojnë të grumbulluar së bashku, janë të stresuar, nuk hanë dhe nuk flenë siç duhet. Ata janë shumë të ndjeshëm ndaj ndikimeve, para së gjithash duke u infektuar vetë. Dhe ka shumë më shumë gjasa që sëmundja të përhapet”, tha Ryan.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se organizata është “thellësisht e shqetësuar” për raportet që ka marrë në lidhje me sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor dhe punëtorëve.

Ne kemi marrë disa raporte të pakonfirmuara për sulme në spitale dhe infrastrukturën shëndetësore, një incident u konfirmua javën e kaluar, ku një spital u sulmua me armë të rënda, duke mbetur të vrarë katër persona dhe plagosur dhjetë të tjerë, mes tyre gjashtë punonjës shëndetësorë”, tha ai.

Sipas kreut të OBSH-së, sulmet ndaj kujdesit shëndetësor, janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Ukraina regjistroi një numër rekord të lartë të rasteve me Covid-19 në fillim të muajit të kaluar, me mbi 45.000 raste të raportuara me 4 shkurt. Dhe vetëm 34% e popullsisë së Ukrainës është plotësisht e vaksinuar, sipas JHU.

Nuk ka asnjë dyshim në këtë rast, se operacionet ushtarake, pushtimi, sido që të quani atë që po ndodh në Ukrainë, po i shkakton shumë vuajtje popullit të saj”, tha Ryan.

Nga këndvështrimi ynë, ne u bëjmë thirrje palëve dhe veçanërisht i bëjmë thirrje qeverisë së Rusisë që ta rishqyrtojë pozicionin e saj, pasi po shkakton shumë vuajtje në Ukrainë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA