Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës abuzimin që bën një klinikë estetike në Tiranë me pacientët e saj, në analizimin e gjakut.

Klinika Dermolife për arsye përfitimi ,kampionet e gjakut që u merr pacientëve për analiza, përpara se të kryejnë ndërhyrjet estetike, i hedh ne koshin e mbeturinave , ndërkohë pacientëve u printon përgjigje të gatshme analizash.

Analizat që kjo klinikë bën para se të kryejë ndërhyrjen për vendosjen e balonit gastrik në stomakun e një pacienti i kushton atij 100 euro, por ato janë fiktive. Skandalin e kanë zbuluar Fiks Fare duke transmetuar edhe se si funksionon skema. Edhe pse nga kjo klinikë i merret gjaku pacientit për kryerjen e analizave, kampioni përfundon në plehra ndërkohë që formularët e analizave janë të gatshëm, behët vetëm ndryshimi i të dhënave të pacientit.

Sipas ankesës të ardhur në Fiks Fare kjo klinikë abuzon me pacientët, pasi analizat e kryera hidhen në kosh të plehrave. Për të vërtetuar këtë abuzim gazetari i Fiksit shkon në klinikën Dermolife si pacient. Kërkon që të bëjë ndërhyrje për vendosjen e balonit gastrik për dobësim. Pasi bie dakord për çmimin që duhet të paguajë (çmimi i balonit është 2000 euro) , gazetarit i kërkohet nga klinika të kryejë analizat e gjakut duke i marrë edhe një kampion gjaku nga trupi i tij. Ndërkohë që emisioni Fiks Fare është infiltruar me anë të bashkëpunëtoreve brenda klinikës. Ata xhirojnë mostrën e gjakut e cila pasi është marrë nga pacienti ,hidhet direkt në kosh të plehrave dhe nuk dërgohet në laborator. Bashkëpunëtorja e  Fiksit bisedon me infermieren e cila i sqaron se kampionët i hedhin në kosh të plehrave dhe nuk i çojnë për analiza.

Ajo kujdeset të mos flasë me zë të lartë, duke këshilluar dhe bashkëpunëtoren që kjo gjë nuk duhet të merret vesh.

Ajo sqaron se përgjigjet merren të gatshme në sistem dhe pacientëve u thonë se je në rregull dhe i gatshëm për të vënë balonin.

Gjakun që i morën gazetarit të Fiksit në prezencë të bashkëpunëtores e hodhën në kosh, ndërkohë që përgjigjen do ja printonin nga sistemi. Më pas infermierja i shpjegon se formularët janë të gatshëm vetëm mjafton të ndryshohen të dhënat e pacientit e më pas printohet. Për të kamufluar të gjithë këtë, sikur analizat kryhen vërtet, u thuhet pacientëve që përgjigja e tyre do minimumi 2 orë që të dalë. Madje vetë doktoresha e  këshillon infermieren ta vonojë një çikë dhe pse përgjigjen e kanë shkarkuar nga sistemi.

Fiksi solli gjithë procesin që ndodhte në klinikë nga marrja e kampionit te hedhja e tij në kosh, deri te printimi i përgjigjeve të gatshme.

Ndërkohë kur gazetari merr përgjigjet mjekja i thotë se i ka të gjitha në rregull dhe mund të shkojë ditën e nesërme dhe të vendosë balonin gastrik.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel