Lavrov: Nuk mund të lejojmë që Ukraina të grumbullojë armë bërthamore

01/03/2022 16:45

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Çarmatim në Zvicër se është koha që armët bërthamore amerikane që gjenden në Europë, të kthehen andej nga erdhën.

Pritej që ai të merrte pjesë fizikisht në takimin e Gjenevës, por ndalesat në udhëtime nuk e kanë lejuar një  gjë të tillë. Në një fjalim të regjistruar paraprakisht, kryediplomati rus u shpreh se Rusia është e gatshme të bisedojë për stabilitetin strategjik me Shtetet Bashkuara, por ka paralajmëruar se Perëndimi nuk duhet të dërgojë objekte ushtarake në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Faji për këtë krizë është i Kievit që po tentonte grumbullimin e armëve atomike. Ju siguroj se Rusia është një pjesëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar një emergjencë të armëve nukleare dhe teknologjive të ngjashme në Ukrainë“, tha Lavrov.

Të udhëhequr nga Ukraina, shumë ambasadorë, përfshirë ata nga Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë larguar nga salla kur Lavrov mbajti fjalimin. Në 1990-tën, fuqitë botërore i premtuan Ukrainës se nëse ç’armatosej, siguria e saj nuk do të prekej.

Dikur ky vend kishte me mijëra armë atomike, të vendosura atje nga koha e Bashkimit Sovjetik. Po lidershipi i vendit vendosi ta dorëzonte arsenalin e tretë më të madh atomik të botës në këmbim të garancive të ofruara nga komuniteti ndërkombëtar mbi të ardhmen e tij.

Top Channel