Përfundojnë bisedimet Ukrainë-Rusi, pritet raund i dytë

28/02/2022 22:52

Raundi i parë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftimeve përfunduan pas ndonjë marrëveshje konkrete.

Një ndihmës i Presidentit rus Vladimir Putin tha se bisedimet zgjatën rreth 5 orë.

Vladimir Medinsky, kryetari i delegacionit rus në bisedimet e zhvilluara në Bjellorusi tha se të dyja palët “gjetën disa pika mbi të cilat mund të parashikohen qëndrime të përbashkëta në të ardhmen”.

Palët ranë dakort për një raund të ri bisedimesh, tha zoti Medinsky.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski dha pak hollësi, duke shtuar se bisedimet u përqëndruan në një armë-pushim të mundshëm dhe se një raund i dytë mund të zhvillohet në të ardhmen e afërt.

“Takimi tjetër do të zhvillohet në ditët e ardhshme në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, kemi rënë dakort për këtë”, tha përfaqësuesi rus në bisedime Medinsky.

Ukraina kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian

Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski tha se dorëzoi kërkesën zyrtare që vendi i tij të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Kërkesa bëhet në ditën e 5 të sulmit rus ndaj fqinjit më të vogël, që ka ngjallur një valë të menjëhershme dënimesh nga komuniteti ndërkombëtar. Blloku i BE-së prej 27 anëtarësh, si dhe shtete të tjera janë zotuar t’i dërgojnë ndihmë ushtarake Ukrainës.

Kërkesa për anëtarësim është simbolike gjithsesi, pasi procesi do të kërkojë vite të tëra. Ukraina është dobësuar nga vite të tëra korrupsioni të gjithë-përhapur, gjë që do t’ia vështirësojë plotësimin e kushteve.

“Qëllimi ynë është të jemi së bashku me të gjithë evropianët dhe më e rëndësishmja, të jemi në një pozitë të barabartë,” tha presidenti. “Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se është e mundur.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kishte patur një telefonatë me udhëheqësin ukrainas dhe se “e vlerësoi atë për guximin e popullit dhe forcave të armatosura të Ukrainës”.

“Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen me raketa mbrojtjeje ajrore, armë antitank, si dhe ndihmë humanitare dhe financiare,” shkruante zoti Stoltenberg në Twitter.

Ministria britanike e mbrojtjes tha të hënën se trupat ruse vazhdonin të ishin mbi 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e fortë ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin rus”.

Ky vlerësim përputhet me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën, se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti.”/ VOA

Top Channel