Bie rezoluta e SHBA-së dhe Shqipërisë që kërkonte ndërhyrje ushtarake/ Rusia vendosi veto

26/02/2022 00:26

Rezoluta e formuluar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, dy vendet bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që dënonte sulmin rus ndaj Ukrainës u rrëzua këtë të shtunë.

Me 11 vota pro, 1 kunder dhe 3 abstenim, rezoluta nuk u miratua.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Shqipëria dhe SHBA-ja, dy vendet bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, formuluan një rezolutë, e cila dënon sulmin rus ndaj Ukrainës dhe e quan një “agresion ndaj Kartës së OKB-së dhe paqes botërore”.

Dokumenti i nënshkruar nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha dhe homologia e tij amerikane Linda Thomas-Greenfield, ka për qëllim parësor dënimin e sulmit dhe ndalimin e mëtejshëm të tij nga ana e Rusisë në dëm të Kievit.

Gjithashtu, në të përfshihet edhe një pikë për ndihma humanitare për Kievin, si pasojë e një krize refugjatësh, të cilën Rusia e ka krijuar me agresionin.

Kjo lëvizje e fundit e bashkëpenëmbajtësve të çështjes ukrainase në Këshillin e Sigurimit, vjen pikërisht ndërkohë që Kievi, po zgjohej nën bombardimet ruse.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin mori vendimin për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura dhe urdhëroi vendosjen e forcave ruse në ato territore.

Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA