Kryebashkiakja Sako në Ishëm: Do ta kthejmë zonën në një atraksion turistik të preferuar

25/02/2022 17:57

Kryebashkiakja e Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e PS për zgjedhjet e 6 marsit është shprehur  në takimin me banorët e Ishmit se investimet që do të kryhen në këtë zonë do ta zhvillojnë më tej atë duke e kthyer në një destinacion të preferuar turistik.

Sako është shprehur se njësia administrative e Ishmit ka qenë që në fillim pjesë e programit të rindërtimit dhe aktualisht 265 banesa individuale kanë përfunduar këtu së bashku me Manzën.

Duke iu referuar shifrave të rindërtimit kryebashkiakja Sako tha se: “Kemi shpërndarë bonuse qiraje për familjet e dëmtuara nga tërmeti, janë dhënë 15 mijë grante rikonstruksioni, janë ndërtuar 16 shkolla dhe kopshte të reja dhe tani afro 8 mijë fëmijë dhe nxënës mësojnë në ambiente me standarte evropiane. Ne kemi pasur mbështetjen maksimale të Kryeministrit Rama për këtë proces, me të cilin kemi shkuar në cdo shtëpi dhe lagje. Ai ka qenë mbështetja kryesore e këtij procesi dhe me volumin e ndërtimeve që po kryhen në të gjitha njësitë administrative të bashkisë, është si të ndërtohet nga e para një Durrës i ri”.

Pas rindërtimit, Durrësi është duke zbatuar disa projekte madhore, sic është ai i portit turistik, porti tregtar në Porto Romano etj, së shpejti nis edhe rikonstruksioni i kalasë së Ishmit.

Kryebashkiakja Sako tha se bashkia e Durrësit ka planifikuar në buxhetin e këtij viti  ndërtimin e rrugës në Fushë-Gjuricaj, e cila lidh tre fshatra dhe bashkë me këtë investim, do të ndërtohet edhe një kopsht dhe çerdhe e re në fshatin Bizë.

Kryebashkiakja Sako ka garantuar qytetarët se ajo do të jetë në shërbim të të gjithëve; bashkia do të jetë në dispozicion të tyre për çdo problem që ata kanë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel