Shkrumbohet nga flakët trageti i linjës Greqi-Itali me 239 pasagjerë! Raportohet për 11 të zhdukur

18/02/2022 07:18

Trageti i linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia’ është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa raportohet për 11 persona të zhdukur.

Në bordin e saj ndodheshin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit. Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë.

Ndërkaq, janë nisur në ndihmë dy anije te rojës bregdetare shqiptare dhe një rimorkiator. Operacioni i shpëtimit ndiqet nga grekët ndërsa forcat tona janë në ndihmë duke qëndruar në largësi të anijes. Sipas përfaqësuesve të forcave të armatosura, anijet shqiptare janë në gatishmëri dhe në ndërhyrje të shpejtë. Deri tani nuk ka qenë nevoja e ndërhyrjes. Anija është zhvendosur dhe ndodhet midis Himarës e Portopalermos.

Prej një ore trageti në flakë ka hyrë 0,5 milje në ujërat shqiptare. Ngjarja ka ndodhur 9 milje nga bregu jashtë ujërave tona, ndërsa po koordinohet puna nga Flota Detare, QNOD dhe Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve dhe po monitorohet situata në çdo moment.

Nuk dihet ende shkaku i zjarrit, i cili duket se është ende jashtë kontrollit. Në të njëjtën zonë në dhjetor 2014 ra zjarr në tragetin norman Atlantic që udhëtonte nga Igumenica për në Ancona ku humbën jetën 29 persona.

Ish komandant i Forcave të Armatosura Detare, Artur Mecollari, përmes një statusi në rrjete sociale shkruan se 279 persona janë evakuuar me tre varka drejt Korfuzit!

“Operacion SAR përball Porto Palermos, në Detin Jon, ne tragetin e linjës Igumentica – Brindisi. Në bord ishin 239 pasagjerë ndërsa 51 ishin anëtarë të ekuipazhit. 279 persona janë evakuuar me tre varka drejt Korfuzit.

Forcat pjesëmarrëse sipas Rojës Bregdetare Greke”, shkruan Mecollari.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel