“Jam këtu për ta parandaluar luftën”/ Blinken në OKB: Kam ftuar në takim ministrin e Jashtëm rus Lavrov

18/02/2022 01:11

Në Ukrainën lindore ka nisur konflikti i armatosur mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

Përplajsa ka ndodhur në rajonin e Donbasit, ku ushtria ukrainase raportoi se forcat e mbështetura nga Rusia sulmuan një fshat në rajonin e Luhansk, duke goditur dhe një kopsht fëmijësh. Për këtë përplasje reagoi edhe Rosemary DiCarlo, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e cila dënoi shkeljen e armëpushimit në zonën e Donbasit.

“Nëse verifikohen, këto shkelje nuk duhet të lejohen të përshkallëzohen më tej. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale në këtë moment”- u shpreh DiCarlo. E ndërsa situata vijon të jetë kërcënuese në Ukrainë, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa rreth kufijve të Ukrainës. Për Blinken diplomacia është e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën.

“Rusia planifikon të prodhojë një pretekst për sulmin e saj. Mund të jetë një e ashtuquajtur bombë terroriste e sajuar brenda Rusisë. Zbulimi i shpikur i varrit masiv, një sulm i organizuar me dron kundër civilëve ose një sulm i rremë – madje edhe i vërtetë – duke përdorur armë kimike.

Rusia mund ta përshkruajë këtë ngjarje si spastrim etnik, ose një gjenocid që tallet me një koncept që ne në këtë dhomë nuk e marrim lehtë. Unë jam këtu sot jo për të filluar një luftë, por për ta parandaluar atë”- tha Blinken.

Blinken zbuloi se i kishte dërguar një letër ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov duke i propozuar ata të takohen javën e ardhshme në Evropë. Ai po propozon gjithashtu takime të Këshillit NATO-Rusi dhe Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Top Channel