14 vjetori i pavarësisë së Kosovës, Rama publikon videon: Urime shqiptarëve në këtë ditë të bekuar

17/02/2022 08:40

Sot shënohet 14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë shqiptarët në Kosovë në një mënyrë të veçantë.

“Mirëmëngjes. Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovë”, shkruan Rama teksa ka publikuar një video.

Në videon e publikuar në rrjete sociale, Rama shpërndan imazhe nga lufta e deri te shpallja e Kosovës shtet i pavarur.

Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Top Channel