Arlen Hasanaj, që dyshohet të ketë vendosur tritolin në shtëpinë e kreut të FSHF-së Armando Duka u la i lirë këtë të mërkurë.
Gjyqtarja Shpëtime Pitaku ka pranuar kërkesën e të arrestuarit dhe avokatit të tij për zëvendësim të masës së sigurisë me një më të butë.
Provat e dorëzuara nga ana e mbrojtjes janë pranuar nga gjykata e cila ndryshoi masën e sigurisë nga ”arrest në burg” në ”detyrim paraqitje” pranë policisë gjyqësore. Në fund të janarit, gjyqtarja vlerësoi si të ligjshëm arrestimin dhe caktoi arrest në burg për 34-vjeçarin.
I dyshuari kryesor për vendosjen e një sasie eksplozivi në portën e jashtme të shtëpisë së kreut të FSHF-së në 24 janar është pronar i një biznesi në Durrës dhe njihet si person pa precedentë të mëparshëm penalë. Ai u arrestua rreth 24 orë pas shpërthimit, bazuar në filmimet e kamerave të sigurisë në rrugicën ku ndodhet shtëpia e Dukës dhe në rrugën paralel me portin nga ku dyshohet se ka ardhur dhe është larguar autori.
Të tjera plane nga kamerat e sigurisë u sollën nga mbrojtja për të mbështetur alibinë e klientit që para ngjarjes ndodhej në një tjetër vend dhe e pamundur që në pak minuta hapësirë, sipas mbrojtjes, të realizonte krimin për të cilin akuzohet Hasanaj.
Ndërkohë në portën e jashtme të Dukës pas ngjarjes janë vendosur shërbime sigurie të një kompanie private sigurimi fizik.
Top Channel