Policia e Tiranës ka vënë nën pranga një 31-vjeçar, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Bëhet fjalë për shtetasin F.B., i cili pasi siguronte lëndën narkotike në qytetin e Durrësit, e ndante në porcoione të vogla dhe më pas e shiste në Tiranë, në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të Zogut të Zi, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë.

31-vjeçari, lëvizjet nga Durrësi në Tiranë, i bënte me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u pikasur nga shërbimet e Policisë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

F. B., 31 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 500 gramë deri në 2 kg, në qytetin e Durrësit, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të Zogut të Zi, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë. 31-vjeçari, lëvizjet nga Durrësi në Tiranë, i bënte me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u pikasur nga shërbimet e Policisë.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel