Datat e provimeve të Maturës Shtetëroe janë publikuar këtë të martë.
Më 9 qershor do të jetë Gjuha e Huaj, më 11 Letërsia, më 17 Matematika dhe 24 qershor lëndët me zgjedhje.
Testi do të jetë me 60 pikë, ku 20 përbëjnë pyetjet me alternativa dhe 40 pyetjet me zhvillim. Maturanti do të jetë kalues me minimumin 25% të pikëve të testit.
Në janar, ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se Matura shtetërore 2022 pritet të ketë një reformim rrënjësor. Duke pranuar shqetësimin e nxënësve dhe prindërve në lidhje me hartimin e tezave të provimeve ndër vite të cilat kanë shkaktuar dhe protesta, deklaroi se ka ndryshuar grupin e punës si dhe qasjen, ndërkaq propozoi të shtohen pyetjet me alternative që do të shmangin gabimet njerëzore me korrigjimin digjital.
Drejtoresha e re e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Aurora Balliu, prezantoi gjetjet e maturës së vjetshme, ku theksoi se maturantët në qytet kanë arritje më të larta se ata në fshat.
Ndërsa ngre dyshime për fiktivitet dhe keqmenaxhim të procesit të provimeve, pasi ka diferencë të notës mesatare vjetore me notën mesatare të maturës.
Përqindja e nxënësve me diferencë +/- 3 nota në provimin e matematikës është më e lartë në ZVA Krujë, Kurbin, Lushnjë, Lezhë. Ndërsa në matematikë rezulton ZVA Kavajë, Kurbin dhe Kukës.
Në maturën shtetërore 2021 rezulton se 602 nxënës kanë marrë 3 nota më shumë se gjatë vitit mësimor në lëndën e Matematikës, ndërsa kanë një rënie me 3 nota 1578 nxënës.
Ndërkohë në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë kanë pasur një rënie me 3-4 nota 290 maturantë, e 300 maturantë të tjerë kanë pësuar po aq rritjen në notë.
Top Channel