“Ishim Koreja e Veriut e Europës”/ Rama flet në Këshillin e Sigurimit të OKB, del jashtë skenarit: Dua ta them troç…

15/02/2022 12:21

Kryeministri Edi Rama ka folur në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në fjalën e tij, Rama tha se donte të dilte jashtë skenarit për të thënë se vetëm një imagjinatë e shfrenuar do e imagjinonte këtë rreth tre dekada më parë.

Ndër të tjera, foli për të kaluarën e Shqipërisë duke thënë se ishte një bunker në terr për shkak të regjimeve komuniste dhe e cilëson si “Korenë e Veriut të Europës”.

Edi Rama: Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspirata tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë.

Më lini ta nis duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve:
Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen.

Ju faleminderit që jeni këtu.

Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më pare.

Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës.

Diktatura u shkërmoq falë thirrjes së njerëzve drejt asaj çka për natyrën njerëzore është një nevojë e brendshme: lirisë, barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme. Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave.

Që prej kësaj kohe, kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë, edhe në momentet më të mundimshme në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane së cilës i përkasim.

Nga janari 2022 deri në fund të 2023, Shqipëria së bashku me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën janë anëtare jo të përhershme në organin më të fuqishëm të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria ka të drejtën e një vote në vendimet që do të marrë Këshilli i Sigurimit.

Shqipëria synon që gjatë mandatit të saj 2-vjeçar të punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon, për të konsoliduar arritjet e dekadës së fundit dhe mos e lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit dhe tensioneve.

Top Channel