Dy persona kanë rënë  në prangat e policisë së Tiranës pasi u kapën duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit :

– E. O., 35 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”;

– A. D., 41 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Ata u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit E. O., në rrugën “Ndre Mjeda”, i cili e kishte vënë lokalin në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Top Channel