Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka vizituar Institutin e të Miturve në Kavajë ku ndodhen edhe dy të mitur nga Durrësi. Kryebashkiakja Sako u njoh me mjediset e të rinjve që flisnin për kujdesin që tregohet për integrimin e tyre në shoqëri.
Gjatë bisedave të përbashkëta me të miturit u diskutua lidhur me aktivitetet që ofronte institucioni, bashkëjetesa në institucion, kurset që ndiqnin të miturit, historitë e tyre.
Kryebashkiakja Emiriana Sako u ka dhuruar të gjithë të miturve libra ndërkohë që dy të miturve të talentuar në lëndën e matematikës u ka dhuruar botime të veçanta për këtë lëndë. Një tjetër dhuratë speciale i ka shkuar një të mituri tepër të talentuar në pikturë. Krybashkiakja Sako i ka dhuruar një set të plotë pajisjesh profesionale që i shërbejnë një piktori. Në fjalën e saj kryebashkiakja deklaroi se këta të rinj duhet të ushqehen sa më shumë me frymën e artit, kulturës, librit, gjë që do ti shërbejë kur të rikthehen sërish në shoqëri sepse të mësuarit sot – shtoi ajo – i shërben integrimit në shoqëri nesër dhe do ti mbajë ata larg fenomeneve negative.
Kryebashkiakja Sako deklaroi se bashkia e Durrësit mbështet prej vitesh të rinjtë ekslentë por tashmë do të kthejë vëmendjen edhe ndaj këtyre të rinjve që ti ndihmojë ata të integrohen në shoqëri pasi të përfundojnë kohën e qëndrimit në këtë institut:
“Puna jonë me të rinjtë nuk është vetëm ngritja e këshillit rinor apo mbështetja e të rinjve ekselentë që është traditë afatgjatë në bashkinë e Durrësit por sot ndodhemi në institutin e të miturve në Kavajë për të shprehur suportin tonë edhe për këta të rinj që kanë qenë pjesë e fenomeneve negative në shoqëri. Sot këtyre të rinjve që ndodhen në këtë institucion i kemi dhuruar libra dhe mjete didaktike profesionale në mënyrë që në kohën kur nuk kanë aktivitete të tjera në këtë institut të kenë një qasje më të mirë me librin, me leximin si dhe shpjeguam edhe mundësitë e përfshirjes së aktiviteteve që ata realizojnë këtu, mësimeve ekstra dhe profesionale me tregun e punës pasi të përfundojnë kohën e qëndrimit në këtë institucion”.
Sako deklaroi se këta fëmijë duhet të stimulohen të mësojnë e të lexojnë sa më shumë si dhe të zhvillojnë talentet e tyre në art e kulturë.Aktivitetet e ndryshme që zhvillojnë fëmijët në këtë institut, libri, sporti, kultura i japin këtyre fëmijëve një mundësi të sfidojnë botën e mbyllur duke shfaqur vlerën e lirisë, nëpërmjet artit.
Top Channel