Grupi i xhirimit i televizionit Top Channel të shtunën pasdite arriti të largohej nga aeroporti ndërkombëtar i Kievit, drejt Stambollit. Ata pritet të mbërrijnë në Shqipëri në orët e vona të darkës.

Gazetari Muhamed Veliu, së bashku me operatorin Besfort Kryeziu, prej disa ditësh, raportuan live nga Ukraina në lidhje me situatën e krijuar atje.

Nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës dhe deri tek llogoret në frontin e “luftës” në lindje të vendit, kamera e televizionit Top Channel preku nga afër dhe nga dita në ditë ankthin dhe frikën e përshkallëzimit të situatës në terren.

Më herët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bëri thirrje gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Ukrainë të largohen sa më parë nga ky vend, si dhe paralajmëroi të mos udhëtohet në drejtim të tij.

Thirrja e MEPJ vjen për shkak të situatës në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës, ku siç sqarohet përmes një njoftimi për mediat, ekziston ‘rreziku i besueshëm i përshkallëzimit të situatës’.

“Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë për asistencë në numrat: +48 22 824 14 27;  +48 501 194 910; ose në adresat e emailit: [email protected];   [email protected]; [email protected]”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen përkohësisht nga Ukraina.

Të tjera shtete sikundër SHBA, Britania e Madhe, Norvegjia, Gjermania, Lituania, Danimarka dhe Izraeli kanë bërë të njëjtë thirrje për shtetasit e tyre.

Ndërkohë, ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë në faqen zyrtare në Facebook fjalën Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, i cili u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë në Ukrainë të largohen nga vendi në 24-48 orët e ardhshme

Top Channel