Edhe pse Kurba e të infektuarve me Covid është në rënie, kjo gjë duket se nuk është reflektuar në numrin e pacientëve Covid që kërkojnë të shtrohen në spitalin covid.

Sipas mjekëve nuk është ndier rënie e madhe, ka edhe forma të rënda.

“Është instaluar një shifër prej 20 të shtruar në 24 orë dhe janë forma të rënda”, u shpreh mjekja infeksioniste, Dr. Mira Muco.

Por edhe pse Omicron shfaqi një klinikë më të lehtë se varietete të tjera të Covid, sërish në Shqipëri ka vdekshmëri të lartë. Mesatarisht çdo natë raportohen 6-7 humbje jete. Por shumë prej pacientëve të cilët humbin jetën në spitalin Covid nuk raportohen si humbje nga Covid, nëse ata kanë kaluar 14 ditë që nga dita kur kanë rezultuar pozitiv.

Pikërisht për këtë fakt ka pasur akuza se numri i personave që humbin jetën nga Covid fshihet. Por, ndërkohë autoritetet shëndetësore thonë se kjo është një praktikë që ndiqet edhe në vendet të tjera. Pra, humbja e jetës nga komplikacione që mund të ketë shkaktuar virusi në organe të tjera nuk quhet humbje jete nga Covid.

Top Channel