Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e të premtes një shqetësim të banorëve të fshatit Tale 2 të Lezhës.

Rruga e këtij fshati e ndërtuar para dy vitesh me një investim prej 52 milion lekësh është katandisur si mos më keq. Përveç studimit të mirëfilltë që nuk ka patur si rrugë, në prishjen e saj kanë ndikuar edhe ndërhyrjet e shumta që janë bërë në të, si pasojë e shtrirjes së rrjetit të ujit të pijshëm. Ajo qe ngrenë zërin më shumë banorët është se një segment prej 250-300 metra ka degraduar fare duke e bërë kalimin e mjeteve shumë të vështirë. Banorët fajësojnë firmën pasi shprehen se punimet në shtrimin e saj në vitin 2000 janë bërë pa cilësi, por edhe kalimi i mjeteve të rënda ka ndikuar sipas tyre.

Fiksi mori dhe një prononcim nga kryetari i Fshatit Lin Luli i cili shpjegoi se rruga që në 6 mujorin e parë të ndërtimit filloi prishjen. Ai shtoi se terreni do një studim të mirëfilltë pasi shpesh herë përmbyten dhe toka nuk ka bazament dhe rrëshket. Pyetjes së nëse këtë e kanë shkaktuar punimet që po bën ujësjellësi, kryetari i fshatit e mohon pasi prishja ka filluar shumë më para shtrimit të linjës së ujit të pijshëm. “Rruga që në 6 mujorin e parë është prishur dhe është riparuar sërish atëherë dhe po prapë është prishur” përfundon z. Luli.

Fiks Fare intervistoi edhe inxhinierin e kompanisë që po shtronte tubat e ujësjellësit. Ergis Topi pohoi për gazetarët se ata po punojnë në anë të rrugës dhe se me mbarimin e punimeve ata e kanë në kontratë që rrugën do ta rikthejnë në gjendjen e mëparshme. “Rruga ka qenë e prishur që kur kemi filluar punimet në gusht të vitit që shkoi. Aty ku ne kemi ndërhyrë do e rikthejmë në gjendjen e mëparshme” shprehet inxhinieri Topi.

Fiksi u interesua edhe pranë Njësisë Administrative Shënkoll, ku administratori Lina Guri tha se në këtë rrugë ishte investuar para dy viteve, por që investimet nuk kanë reshtur. Pasi të përfundoj ujësjellësi i fshatit do të rehabilitohet sërish rruga. Kësaj radhe pohoi ai rrugës do t’i bëhet një studim i mirëfilltë sizmologjik, pasi vendi ku ajo shtrihet dikur ka qenë nën ujë dhe tokë pa bazament. “Gjithsesi firma aktuale që po shtron tubacionet e ujësjellësit ka marrë përsipër riparimin e rrugës, dhe jo vetëm këtë segment por të gjitha segmentet e bregut të Tales” shprehet administratori Guri duke pohuar se çdo gjë do të përfundojë para sezonit veror.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA