Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhim narkotikësh, arrestohet në Greqi 33-vjeçari nga Korça

10/02/2022 14:37

Policia ka arrestuar një 33-vjeçar nga Korça i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Policia tha se u ekzekutua vendimi penal për ndalimin e shtetasit në kërkim ndërkombëtar F. D., 33 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 14.05.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

33-vjeçari, rezultonte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Kurila”, të finalizuar më datë 16.11.2019, për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit e shitjes së narkotikëve dhe trafikimit të tyre në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, nga fshati Kurilë, Devoll, gjatë etapave të të cilit janë arrestuar nga Policia disa persona.

Shtetasi F. D., është kapur në Greqi dhe më pas u krye ekstradimi i tij, në drejtim të vendit tonë.

Top Channel