Një tjetër ditë e mbushur me ankth dhe tensione, kjo e sotmja, për Ukrainën dhe komunitetin ndërkombëtar pas deklaratës së presidentit Putin, i cili tha se “nëse Ukraina anëtarësohet në NATO, atëherë lufta nuk do të ketë fitues dhe Europa do të tërhiqet në këtë konflikt kundër vullnetit të saj”.

Gazetari Muhamed Veliu, nga kufiri i Ukrainës me Rusinë, i cili ndodhet prej ditës së djeshme, tha se referuar autoriteteve ushtarake të Ukrainës, 30 ditët në vazhdim, janë vendimtare nëse Putin sulmon apo jo Ukrainën.

Nëse sulmi nuk ndodh, atëherë Putin po luan blof”, tha i dërguari i Top Channel në Luhansk, gazetari Muahamed Veliu.

Sipas tij, të gjitha informacionet luftarake të Rusisë, në kufi me Ukrainën dhe ato në Bjellorusi, tashmë janë kompletuar dhe kërcënimi i pushtimit është i mundur gjatë 10-12 ditëve të ardhshme.

Ai tha se 140.000 trupa ruse janë në pritje të urdhrit për të sulmuar.

Gazetari i Top Channel, Muahmed Veliu tha se gjatë një takimi që pati me kolonel Dmytro Krasynykov, komandant i Task-Forcës ushtarake për rajonin Donesk, mësoi se 100 batalione ruse janë vendosur tashmë në kufi me Ukrainën. Sipas tij, aty ka një brigadë tankesh, armatime kundra ajrore, si dhe një komandë drejtimi.

Stërvitjet ushtarake ruse në zonat e okupuara të Donetsk janë intensifikuar. Kjo na lë të kuptohet se jemi përpara një skenari të një pushtimi të gjerë. Ne jemi duke përgatitur skenarët tanë të mbrojtjes dhe kemi avantazhet tona në raport me forcat ruse”, tha kolonel Krasynykov.

Po ashtu, është mësuar se nga vendet evropiane, SHBA dhe Kanada, javët e fundit, Ukraina ka marrë ndihma ushtarake në vlerën e 1.5 miliard dollarëve. Shtim i prezencës së organizatave ndërkombëtare si OSBE dhe UNCHR.

Lituania është e gatshme të presë 30.000 refugjatë lufte nëse sulmohet Ukraina.

Gjithashtu, SHBA, miratoi planin e evakuimit të qytetarëve të saj nga Ukraina përmes Polonisë.

Janë 1700 trupa amerikane në Poloni, të cilët po ndërtojnë tenda dhe facilitete pritëse, por nuk janë të autorizuar për të hyrë e evakuuar brenda në Ukrainë.

Ministria e Jashtme britanike, Lizz Truss prej mbrëmjes së djeshme ndodhet në Moskë. Në takimin që pati sot paradite me homologun rus Sergey Lavrov, i ka thënë se vendi i tij do të përballet me pasoja të jashtëzakonshme për çdo veprim pushtues ndaj Ukrainës.

Mësohet se 1000 trupa ushtarake britanike janë në gatishmëri për të mbërritur në rajon në rast të një sulmi. Kryeministri Boris Johnson do takohet sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg.

Britania e Madhe është dakordësuar t’i japë Ukrainës armatime goditëse kundra anijeve për t’u mbrojtur nga anijet luftarake ruse në Detin e Zi dhe Azov.

Top Channel