Shqipëria, thotë Euractiv, renditet e para në rajon dhe e pesta në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore për numrin e infeksioneve me COVID, të regjistruara në periudhën janar 2020-shtator 2021.

Për këtë citohet një studim i botuar nga revista e njohur shkencore, The Lancet.  Studimi, i cili shqyrtoi infektimet dhe vdekjet nga vdekjet nga koronavirusi në 177 vende, zbuloi se shkalla e prekjes nga sëmundja për 1000 banorë në Shqipëri është 870.

Shkalla mesatare e infeksionet është 433 për 1000 banorë. Në listë, shifrën më të lartë e kishte Afganistani me  988. Nga rajoni, pas Shqipërisë vinin me radhë Maqedonia e veriut 838 infektime për 1000 banorë,  Bosnja dhe Hercegovina me 717 e Serbia me 552.

Lajmi i mirë për vendin tonë megjithatë, është raporti me vdekshmërinë. Edhe pse infektimet janë të larta, norma e vdekshmërisë në Shqipëri është 4.49 për 1000 banorë krahasuar me 5.43 të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe 6.52 të Maqedonisë së Veriut. Mesatarja globale, llogaritet në 3.4.

Më herët, Komisioni për Sëmundje Infektive i Maqedonisë së Veriut njoftoi se do të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të protokollit për evidentimin e personave që vdekur me COVID-19. Nuk përjashtohet mundësia që në raportet ditore të mos përfshihen ata që si shkak kryesor të vdekjes kanë sëmundje tjera dhe jo diagnostikimin me sëmundjen COVID-19.

Sipas këtij komisioni, ekspertët presin që pandemia gradualisht të kthehet në endemi, çka nënkupton se  “virusi do të vazhdojë të jetë mes nesh, por do të shfaqet në grupe, vende, popullata të caktuara dhe nuk pritet të ketë pasoja kaq të rënda apo kaq shumë vdekje”.

Top Channel