Varësi të lartë nga fondet e qeverisë dhe shumë borxhe.

Kështu paraqitet gjendja financiare e gjashtë bashkive që pritet të shkojnë në zgjedhje të pjesshme lokale. Ajo, e cila bie në sy është Bashkia e Vorës.

Në vitin 2020 kjo bashki ka grumbulluar rreth 700 milionë lekë borxhe. Këto para janë marrë borxh për mirëmbajtjen dhe investime të papaguara.
Nga bashkitë e tjera vërehet se Durrësi dhe Dibra kanë pothuajse të njëjtin nivel borxhi. Ekspertja e financave vendore, Merita Toska mendon se kjo paraqet rrezik:

“Bashkia Durrës ka aftësinë dhe kapacitetin t’i paguajë këto detyrime, ndërsa Bashkia Dibër paraqitet shumë e dobët në aspektin financiar.”
Ndërkohë, Lushnja dhe Rrogozhina po ashtu janë në të njëjta nivele borxhi, por në vlera më të ulëta. Shkodra në kontrast me çdo bashki i ka në nivelin 0% detyrimet e prapambetura.

Sa i përket të ardhurave këto gjashtë bashki e kanë varësinë mjaft të lartë nga fondet e qeverisë. Renditjen e kryeson Dibra, e cila gati 95% të fondeve i merr nga buxheti i shtetit, ndjekur nga Lushnja me rreth 80%. Pas këtyre varësinë më të lartë e ka Rrogozhina me 80% të të ardhurave nga qeveria qendrore. Më pas vjen Shkodra me rreth 70% të fondeve ndjekur nga bashkia e dytë më e madhe në vend, Durrësi. Vora është bashkia me varësinë më të ulët pasi rreth 35% të fondeve i siguron nga taksat e veta.

Por, si shpenzohen këto të ardhura. Ekspertja Toska shprehet se shumica shkon për shpenzime të administratës dhe mirëmbajtjes:

“Bashkitë harxhojnë mbi 70% të buxheteve të tyre për shpenzime korrente, ndërkohë që vetëm 30% e këtyre burimeve shkon për investime. Ky është trendi mesatar vëzhguar në dhjetëvjeçarin e fundit.”

Vora dhe Rrogozhina kanë kryer në 2021-in më shumë investime për shkak të procesit të Rindërtimit, me qeverinë që ka alokuar shumë fonde për riparime dëmesh apo ngritjen e banesave të reja.

Top Channel