Rama: Kemi marrë konfirmim nga DASH, Shqipëria do të jetë bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në për “Ukrainën”

05/02/2022 11:39

Kryeministri Edi Rama, ashtu siç e kishte paralajmëruar ditë më parë në emisionin Open në Top Channel, në një konferencë për mediat ka treguar pozicionin e shtetit shqiptar për konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë.

Rama tha se vendi ynë ka marrë konfirmim përfundimtar nga DASH se SHBA dhe Shqipëria do të jemi bashkëpenëmbajtëse në OKB lidhur me çështjen e Ukrainës.

Ky term shpjegoi ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka,përdoret për të treguar se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë bashkautorësinë për çështje dhe nisma që kanë lidhje me sigurinë e me paqen, veçanërisht për Ukrainën.

Rama: Kemi marrë konfirmim përfundimtar nga DASH se SHBA dhe Shqipëria do të jemi bashkëpenëmbajtëse në OKB lidhur me çështjen e Ukrainës, është padiskutim një përgjegjësi e re dhe shumë e madhe por dhe një konfirmim i një Shqipërie krejt tjetër në rajonin ndërkombëtar, që vlerësohet për karakterin , qëndrueshmërinë, aftësinë në rolin që i takon, si një vend që promovon paqen, sigurinë, është një vend me një pozicion gjithnjë e më të spikatur në rajon.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e sigurimit si anëtar jo i përhershëm dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve tona me SHBA , pasurohet me këtë fakt të ri. Krijimi i këtij çifti, në këshillin e sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtëse është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv e të vazhdueshëm , konfirmon një pozicion pa ekuivok të vendit tonë dhe duke qenë aktiv në një çështje kaq akute, si kjo e Ukrainës por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne përkufizohemi dhe me qartë në sytë e të gjithë, një forcë që kontribuon për më  të mirën. Jemi të emocionuar nga ky zhvillim, se është kurorëzim i një përpjekje dhe jo fundi.

Rama shtoi se në ditët në vijim do të vizitojë Shtetet e Bashkuara, për të komunikuar në nivelet më të larta politike, siç tha ai, edhe për shkak të këtij zhvillimi të ri.

Ndërkohë ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit dhe se projekti i parë do hartohet nga Shqipëria dhe SHBA dhe më pas do ndahet me të tjerë.

“Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me SHBA. Gjatë këtij bashkëpunimi që do materializohet përmes takimeve që do kemi në Uashington me Blinken, kemi krijuar një sinergji të veçantë lidhur me angazhimin e vendeve tona, edhe sa i takon çështjes së paqes dhe sigurisë, veçanërisht me situatën e konfliktit të Ukrainës. SHBA kanë qenë të gatshme të ndajnë me Shqipërinë përgjegjësinë e bashkautorësisë apo bashkëpenëmbajtësit për çështje që kanë lidhje me sigurinë dhe paqen dhe veçanërisht me Ukrainën. Është vlerësim dhe privilegj i jashtëzakonshëm për të bashkëndarë me SHBA përgjegjësinë për të qenë bashkëhartues në çështjen e Ukrainës, nj kontribut që jemi të gatshëm për ta marrë përsipër. Jemi të vetëdijshëm për përmasat tona, por kjo është çështje serioziteti, përgatitje dhe aftësie për të marrë përsipër përgjegjësi. Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Vendet tona do bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare dhe do jenë në origjinë të çdo nisje me këtë nismë. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit. Është një shprehje e thellimit të partneritetit strategjik të dy vendeve”, tha Xhaçka.

Top Channel