Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të lehtësojë masat kufizuese për të penguar përhapjen e Covid 19, që hyjnë në fuqi të shtunën.
Tashmë, orari i lëvizjes do të jetë deri në orën 00:00. Maskat janë të detyrueshme vetëm në ambientet e mbyllura.
Gjithashtu hyrja në Kosovë do të lejohet me dy vaksina, pa pasur nevojë për testin PCR, lejohet hyrja edhe me një vaksinë dhe test negativ PCR të bërë në 48 orët e fundit. Orari i punës së gastronomisë do të jetë deri në orën 23:00 dhe do të lejohet hapja e palestrave.
Sipas Ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifit, lehtësimi i masave vjen pas uljes së infektimeve në vend, por masat do të rishqyrtohen javën që vjen.
Vendimi i mëparshëm i qeverisë, që kërkonte tre doza vaksine për të hyrë në vend nxiti protesta nga qytetarët, ndërkohë që reagime të forta ka pasur dhe masat e tjera kufizuese.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme në Shqipëri:
Duke filluar prej datës 5 shkurt, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
1. Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Johnson & Johnson, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit;
2. Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;
3. Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit);
4. Dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë/përforcuese.
5. Dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.
Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikave të përmendura më lart përjashtohen:
Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda 3 orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do largohet nga Kosova brenda 3 orëve dhe që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja;
Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19;
Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orëve;
Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të KFOR;
Personat nën moshën 12-vjeçare;
Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak, për një periudhë prej 7 ditësh që nga hyrja në territorin e Kosovës;
Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë liruar nga detyrimi i vaksinimit.
Këta persona duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për Covid 9, të bërë jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
Top Channel