Dy vëllezër janë arrestuar nga policia në Përmet, ndërsa është proceduar penalisht babai i tyre, pasi u kapën me 1.4 kg kanabis, armë dhe fishekë.

Sipas njoftimit të bërë nga policia mësohet se është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “BROTHERS”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Zh., 39 vjeç dhe A. Zh., 36 vjeç (vëllezër) banues në fshatin Bodar, Përmet, si dhe u procedua penalisht shtetasi Ll. Zh., 69 vjeç (babai i tyre).

Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në përdorim nga këta shtetas, në vendin e quajtur “Vinja”, fshati Bënjë, Përmet, u gjetën 1.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sattiva, një armë zjarri dhe një sasi fishekësh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike, arma e zjarrit, fishekët dhe 2 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Top Channel