Presidenti Biden njoftoi të enjten se udhëheqësi i grupit të dhunshëm të Shtetit Islamik ka vdekur gjatë një bastisjeje në mbrëmje në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib.
Operacioni amerikan kishte në shënjestër Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi. Ai u vu në krye të grupit militant më 31 tetor të vitit 2019, vetëm disa ditë pas vdekjes së udhëheqësit të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, gjatë një bastisjeje nga forcat amerikane në të njëjtën zonë. Një zyrtar amerikan tha se ai vdiq njësoj si al-Baghdadi, duke u vetëvrarë me një bombë ndërsa forcat amerikane po afroheshin. Krahas tij mbetën të vdekur dhe anëtarëve të familjes së tij, mes tyre gra e fëmijë.
Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi njihet gjithashtu si Amir Muhamed Sa’id Abdal-Rahman al-Mawla. Gjatë operacionit u njoftua se janë vrarë 13 persona përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra.
Operacioni vjen ndërsa grupi militant ISIS-it po përpiqet të ringjallet, me një seri sulmesh në rajon, përfshirë një sulm 10-ditor në fund të muajit të kaluar me synimin për të marrë nën kontroll një burg.
Në një deklaratë Presidenti Biden tha se ai urdhëroi bastisjen për të mbrojtur popullin amerikan dhe aleatët, si dhe për ta bërë botën një vend më të sigurt. Presidenti Biden pritet t’i drejtohet publikut amerikan më vonë gjatë ditës së sotme.
Pentagoni fillimisht nuk e identifikoi objektivin e bastisjes.
“Misioni ishte i suksesshëm“, tha sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby në një deklaratë të shkurtër. “Nuk pati viktima amerikane”, shtoi ai.
Idlibi kontrollohet kryesisht nga luftëtarët e mbështetur nga Turqia, por është gjithashtu një bastion i al-Kaedës dhe strehë e disa prej operativëve të saj kryesorë. Militantë të tjerë, përfshirë ekstremistë të grupit rival të ISIS-it, kanë gjetur gjithashtu strehim në këtë rajon./VOA
Top Channel