Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të enjte ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama për lidhjet e tij me trafikun e drogës.
Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Berisha tha se qeveria Rama e nisi fillimisht me instalimin e një laboratori droge në Xibrakë, duke krijuar kështu një nga fabrikat më të mëdha të kokainës në Ballkan, nën patronazhin direkt të klanit Rama.
“Shqipëria është vendin në të cilin krimi i organizuar, siç thotë raporti i Departamentit të Shtetit, e ka shndërruar në qendrën operacionale të organizatave kriminale. Nuk ekziston një vendi i dytë me këtë fuqi të së keqes, krimit, si Shqipëria dhe kjo ka vetëm një arsye, lidhjen e tmerrshme me qeverinë. Narko-qeveria e kreut të Meduzës nisi me instalimin në Xibrak të fabrikës së uzinës së kokainës më të madhe në Ballkan nën patronazhin direkt të klanit Rama. Ky është vetëm njëri shembull, të vijojmë më tutje. A nuk u faktua këtu lidhja direkte e ministrit të Brendshëm dhe pasardhësit të tij me drogën”, tha Berisha.
Ai tregon se në vendin tonë brenda disa muajve janë katër-fishuar kompanitë e bananeve, duke aluduar me faktin se ato janë të lidhura me trafikun e kokainës.
“Çfarë ndodh tani? E tha një parafolës, 3-4 fishohen brenda disa muajve kompanitë e bananeve. A e dini pse? A e dini kush e kontrollon portin e Durrësit? Nallbati i Xibrakës, i hakmarrjes në drejtësi, i Edvin drogës dhe Lulzim Pengut që e ka gjysmë baxhanak të dashur. Nuk është rastësi se nga kokaina kalohet nga porti i Durrësit. Do ju njoftoj ju se afera e portit të Durrësit është afera korruptive më e madhe në Evropë dhe kjo që po them sot këtu është vetëm njëri kapitull. Tjetri është edhe më i zi”, tha ish-kryeministri.
Top Channel