Gjyqi kundër Ilir Metës/ Rrëzohet kërkesa e Metës për përjashtimin e gjyqtarëve. Kushtetuesja shprehet për 30 ditë

01/02/2022 19:31

Ilir Meta është i pari President i vendit, fati i të cilit varet nga votat e Gjykatës Kushtetuese.

Muaji shkurt do të jetë vendimtar për procesin e startuar verën e 2021 , atëherë kur kreu i shtetit u shkarkua përmes një hetimi parlamentar.

Por teksa Presidenti i përcolli me një dedikim të buzëqeshur juristët presidenciale, pala tjetër që përfaqëson Kuvendin hyri në Kushtetuese pa komente.

Përjashtimi i trupës ishte karta e parë që hodhi në tavolinën gjyqësore juristi i Presidentit.

BLEDAR DERVISHAJ KESHILLTARI JURIDIK I PRESIDENTIT- Kjo trupë gjyqësore nuk mund ta shqyrtojë në mënyrë të paanshme këtë çështje pasi janë në konflikt interesi. Presidenti ka humbur besimin tek kjo trupë gjyqësore.

Të shtatë gjyqtarët kushtetues e rrëzuan pretendimin e parë. Lëvizja e radhës ishte deligjimiteti i Kuvendit aktual që sipas juristëve të Presidentit nuk është i njëjti me atë që shkarkoi kreun e shtetit. Taulant Balla vlerësoi se sa kohe Presidenti kreu aktivitet politik ai humbi funksionin qe duhet te kete mbi te gjitha palët.

TAULANT BALLA KREU I GRUPIT TE PS- Kuvendi nuk synon të ndëshkojë presidentin apo pozicionin, por personin që kreu shkeljen. A mundet ta përfaqësojë unitetin e popullit një president që shfaqet palë, nxit dhunë, ndikon në vendimmarrjen e institucioneve, sulmon gjykatën kushtetuese.
30 pyetjet e relatorit Përparim Kalo dhe pyetjet e juristit të Presidentit drejtuar Kuvendit u bënë shkak që seanca të nderpritej , duke i dhënë kohë palëve për tu përgatitur. Gjykata Kushtetuese ka afat 30 ditë për tu shprehur për shkarkimin ose jo të Presidentit, të cilit sipas Kushtetutës i përfundon mandati natyral në 24 korrik.

Top Channel