Seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish drejtorit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela përfundoi këtë të hënë, ndërsa vendimi do të jepet më 4 shkurt ora 13:00.

SPAK i qëndron të njëjtit qëndrim si në shkallën e parë dhe kërkon 12 vite burg për Tahirin e Çelën.

Duke qenë se Tahiri dhe Çela kanë përfituar gjykim të shkurtuar, atyre i ulet 1/3 e dënimit.

Sipas gazetares së Top Channel Anila Hoxha Jaeld Çela tha: “Në të gjithë dosjen janë katër episode. Unë në detyrë kam ardhur më  5 shtator 2014 dhe më 28 prill 2017 u largova nga detyra.

Nga të gjitha këto episode akuzohem për dy raste, për Treblovën që ndoqa operacionin. Nuk e kuptoj ku e kam shpërdoruar detyrën. Gjykata thotë se gjatë kohës që isha drejtor i policisë së Vlorës, kultivimi në masë më bën përgjegjës, por gjatë asaj kohe s’ka asnjë rast trafikimi. Më akuzojnë për peshkarexhën Fatima dhe hetimi u krye në Itali. Shteti shqiptar zero dijeni, zero informacion nga pala shqiptare.”

Ndërsa ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha: “Dua t’ju kërkoj me shumë përulje që të bëni atë që duket nga provat dhe faktet se është më e drejtë. Kërkoj të më shpallni të pafajshëm.”

Çështja “Tahiri” u regjistrua në këtë  GJKKO më 26 nëntor, ndërsa më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çelës.

Me vendimin e marrë Gjykata e Lartë i dha një fitore proceduriale Tahirit, ndërsa vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.  Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA