100 fenerë ndriçuan qendrën Kennedy në Washington mbrëmjen e së enjtes, për t`i uruar me sa më shumë dritë që të ishte e mundur hyrjen vitit kinez të Tigrit.

Vizitorët e saj do të kenë kohë deri në 6 shkurt të shikojnë mrekullitë e luleve dhe krijesave të tjera shumëngjyrëshe të punuara me shumë mjeshtëri nga artizanët kinezë, e të zbukuruara me rreth 10 mijë drita LED. Është viti i Tigrit, viti kur jeta rikthehet të gjëmojë zhurmshëm, tha drejtoresha e qendrës Kennedy, Deborah Rutter.

“Jam e lumtur që jemi këtu për të kremtuar vitin e ri hënor. Edhe pse ende nuk mundemi të festojmë sic duam në ambientet e brendshme, deshëm vërtet shumë që ta vazhdonim këtë traditë të re të grumbullimit të këtyre fenerëve të mrekullueshëm në këtë vend për të festuar me shumë gjallësi këtë vitin e ri kinez. Këto objekte kaq të bukura janë prodhuar me mëndafsh e ndizen nga drita LED, të gjitha të bëra në Kinë”.

Arti dhe kultura, tha Rutter, janë një mënyrë për të njohur veten, dhe për të njohur më mirë të tjerët.

Është një rrugë për t’i afruar njerëzit me njëri-tjetrin. Ne patëm mundësinë ta bënim në një mënyrë madhështore, madje do të thosha spektakolare. Viti i Tigrit risjell jetën, dhe për në, ky kopsht ishte mënyra të dilnim të gjithë së bashku nga errësira e dimrit e të ecnim drejt dritës, duke u kujtuar sesa e nevojshme është të punojmë së bashku.

 

Top Channel