Kryesia e PS do të ketë mbi tavolinë emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit.

Pak përpara kësaj mbledhje kryesie, gazetari i Top Channel Muhamed Veliu sjell zhvillimet më të fundit për emrat që do të ketë në dispozicion për të zgjedhur kryesia.

Burime nga PS i thanë gazetarit Muhamed Veliu se për Vorën dhe Rrogozhinën, drejtuesi politik i qarkut Erion Veliaj ka gati nga dy kandidatura për këto dy bashki.

Veliaj do t’ja lërë në dorë të kryesisë për të vendosur pasi të ketë argumentuar se cilët nga këta 4 emra është më i përshtatshmi.

Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Taulant Balla si drejtues politik i qarkut Fier.

Balla do t’i propozojë kryesisë si kandidatë për bashkinë Lushnje, kryetaren e bashkisë në detyrë Eriselda Sefa dhe mjekun e njohur Asfloral Haxhiu.

Nuk ka emra surprizë për Durrësin. PS e këtij qyteti ia ka dhënë besimin për këtë garë Emirjana Sakos, kryetare në detyrë në këtë bashki.

Mbështetjen për zonjën Sako e ka shprehur publikisht një javë më parë drejtuesi politik i qarkut Ardian Çela.

Sakaq burime nga PS sqarojnë se për Dibrën është një kandidat i vetëm e jo tre në dispozicion të kryesisë siç pretendonte një media një ditë më parë.

Siç edhe raportoi një ditë më parë Top Channel, bankieri Rrahim  Spahiu është e vetmja kandidaturë për Dibrën që pret të marrë dritën jeshile nga kryesia.

Betejën për Shkodrën, socialistët do t’ja besojnë prefektes Majlinda Angoni.

Në fund të mbledhjes të kryesisë socialiste që nis në ora 17:30, pritet që Damian Gjiknuri sekretar i përgjithshëm i PS të bëjë publik gjashtë kandidatët socialist për 6 bashki që do të marrin pjesë në garën e zgjedhjeve të 6 Marsit.

Top Channel