Shqipëria drejt legalizimit të kanabisit. Një pyetje apo një realitet i afërt?!

26/01/2022 18:12

Pyetja e gjashtë, në kudër të nismës së Këshillimit Kombëtar, për të cilën qeveria kërkon mendimin e shqiptarëve ka të bëjë për një nga çështjet më të debatuara në vend, legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Për këtë ka folur Klotilda Bushka në emisionin “Top Talk” duke thënë se përsa kohë ka një debat në Shqipëri dhe në rajon, duhet marrë mendimi i qytetarëve dhe është e mirëvendosur në pyetësor.

Dyrnjaja: Një çështje që më ka rënë në sy është ajo e legalizimit të kanabisit. Aty thuhet se ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kanabisit të kontrolluar për qëllime mjekësore pa legalizuar kanabisin ilegal. Të tjerë thonë që kanabisi duhet të jetë jashtë formatit të legalizimit. Duket sikur po e kërkojnë njerëzit që e kërkojnë këtë por ka qenë një tezë e shtruar shumë kohë më parë nga Koço Kokëdhima dhe para 1-2 vitesh u hodh dhe si provokim nga Rama. Jemi në kushtet kur duhet të legalizojmë kanabisit kur në lagjet në kryeqytet tymoset hashash pafund?

Bushka: Unë nuk dua të jap përshtypjen sikur po i përgjigjem pyetësorit. Dikush mund të thojë që po sugjestionoj përgjigjet e qytetarëve. Për aq kohë sa pyetësori ka të drejtën që mendimi të jetë anonim, nuk do të doja që publiku të marrë mendimin tim dhe të sugjestinohet. Nuk ka rëndësi kur ka lindur si debat apo kur u pushua së foluri për këtë çështje, situatat ndryshojnë, aq më tepër për këtë çështje që e gjithë bota ka një qasje tjetër. Nëse do shikoni rajoni kemi hapa të ndërmarrë nga Maqedonia e Veriut që për disa arsye mjekësore kanë bërë disa parashikime ligjore. Edhe në shoqërinë shqiptare nuk është diskutim i një personi apo disa personave. Është një çështje që shoqëria e diskuton. Përsa kohë ka një debat në Shqipëri dhe në rajon, duhet marrë mendimi i qytetarëve dhe është e mirëvendosur në pyetësor.

Top Channel