Në datën 12 janar 2022, emisioni Fiks Fare transmetoi denoncimin e Gëzim Gjetës, nga Burreli. Ai denoncoi përmbaruesen Laureta Kusi, e cila i kishte kërkuar një ryshfet prej 300 mijë lekësh për t’i hequr një gjobë të vitit 2008.

Gëzimi nuk kishte dijeni se ndaj tij ishte vendosur një gjobë, madje çështja i kishte kaluar në prokurori dhe gjykatë, pasi në 2008-ën ishte depërtuar nga Franca. Gjatë kësaj kohe, ai kishte vijuar punën në minierë, teksa në nëntor 2021, përmbarimi i kishte bllokuar rrogën. Gëzimi kishte komunikuar me përmbaruesen Laureta Kusi, e cila i kishte kërkuar një ryshfet prej 300 mijë lekësh të vjetra për t’i hequr gjobën.

Pas denoncimit, emisioni Fiks Fare faktoi me zë dhe figurë mitmarrjen, brenda zyrave shtetërore. Madje, përmbaruesja Laureta Kusi i la takim qytetarit një ditë të diel. Shkoi me të në zyrë, dhe pasi i mori ryshfetin, i dha një letër që s’kishte më detyrime. “Me këtë letër s’ke me asnjë problem. Çështja të është amnistuar” i tha ajo, teksa mori edhe ryshfetin.

Pas transmetimit, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit, reagoi duke pezulluar dhe kallëzuar penalisht përmbaruesen. “Menjëherë me marrjen dijeni mbi transmetimin e investigimit të kryer si dhe duke e konsideruar, veprimin konkret të identifikuar në emision, marrje ryshfeti, si shkelje me natyrë penale,  më datë 13.01.2022, vendosi pezullimin e znj. Laureta Kusi” thuhet në reagimin e Përmbarimit për Fiks Fare. Sipas saj, në të njëjtën datë, i janë vënë në dispozicion të Policisë së Tiranës, praktika e debitorit Gëzim Gjeta si dhe kopje e dokumentacionit të dosjes personale të punës të përmbarueses.

Paralelisht me këto masa, sipas një shkrese, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit, ka urdhëruar ushtrimin e kontrollit për verifikimin e problematikës, pranë Zyrës Përmbarimore, Tiranë. Gjithashtu është propozuar fillimi i procedimit disiplinor ndaj përmbarueses si dhe kanë nisur procedurat për shkarkim nga detyra. Sipas një dokumenti të datës 18 janar 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit, ka urdhëruar ushtrimin e kontrollit mbi veprimtarinë procedurale dhe administrative në Zyrën Përmbarimore Tiranë. Objekt i kontrollit është kontrolli mbi procedurat e ndjekura nga përmbaruesit në ekzekutimin e titujve ekzekutivë, zbatimi i njëjtë i ligjit, çështjet me problematikë të veçantë, identifikimi i shkeljeve, si dhe marrja e masave konkrete ndaj përmbaruesve.

Top Channel