Skandali në Fiks Fare/ “Arrest shtëpie” në hotel, si u arratis shqiptaro-serbi i “ndihmuar” nga drejtësia shqiptare!

24/01/2022 20:40

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në drejtësi, ku një i arrestuar mundi të arratisej, jo nga qelia, por nga dhoma e hotelit, me vendime prokurorie dhe gjykate.

Emisioni investigativ siguroi dhjetëra dokumente për largimin nga vendi i qëndrimit i shtetasit Sebastjan Viljamov, me shtetësi serbe dhe kombësi shqiptare. Ai mundi të largohej në datën 1 janar 2019 nga hotel “Gjallica” në Kukës, ku ishte vendosur me masën “arrest shtëpie” nga Gjykata e Kukësit.

Tre vite pas këtij skandali, i vetmi “përgjegjës” për arratisjen është vetëm një punonjës i thjeshtë policie, baba i 4 fëmijëve. Ndaj të tjerëve, prokurorë, gjyqtarë apo drejtues të Policisë së Kukësit, asnjë hetim apo dënim.

Në redaksinë e emisionit investigativ Fiks Fare u ankua Xhevair Nërguti, i cili ka qenë punonjës i policisë i rolit bazë, i stacionuar për ruajtjen në dhomat e shoqërimit në Policinë e Kukësit. Por, prej muajit nëntor 2019, në momentin e arrestimit të shtetasit Sebastian Viljamov, ai u “urdhërua” nga eprorët që ta ruante në mjediset e një hoteli, ku i arrestuari ishte lënë në “arrest shtëpie”. “Kam qenë punonjës policie dhe jemi urdhëruar që ta ruajmë në ambiente hoteli. Hoteli ‘Gjallica’ ku ishte vendosur kishte 7 dyer. Gjykata shkruante në vendim se urdhërohej policia gjyqësore vetëm të ekzekutonte vendimin.

Por, gjyqtari nuk kishte shkruar nëse duhet apo jo të ruhej. Apo kush duhet ta ruante. Shkruante vetëm që i arrestuari mos të largohej nga hoteli. Ne na urdhëruan drejtuesit e Policisë së Kukësit. Njëherë ta ruanim, njëherë mos t’i merrnim sendet personale. Ai kishte telefona dhe gjithçka tjetër. U vendos në qendër të qytetit” tregon denoncuesi, ish-punonjës policie. Më tej pohon se shqiptaro-serbi është arratisur nga hoteli në datën 1 janar 2019. “Kanë ardhur 3 persona dhe e kanë kërkuar. Ishte dita e parë e vitit. Policia ishte në gadishmëri, dhe përveç meje dhe kolegut brenda hotelit, kishte edhe patrulla jashtë. I arrestuari zbret në kafenenë me këta persona. Unë shkoj që ti marr ushqimet në dhomë, pasi atë ditë s’kishte guzhinë. Te lokali qendroi kolegu im. Kur erdha, ai kishte ikur” thotë Xhevairi, ndërsa pohon se kanë shoqëruar 3 shtetasit që e ndihmua, madje u paraqitën edhe vetë vullnetarisht në komisariat.

Por, në vendim shkruhej se “arrestohen në flagrancë” dy punonjësit e policisë. “Ne shkuam vetë” thotë ai, teksa pas dy ditësh gjykata i liroi me masën detyrim paraqitje. Ndërkohë, që unë ika në Itali, e kisha 4 fëmijë për të mbajtur, plus që më përjashtuan nga Policia e Shtetit. Vijoi procedimi dhe gjykimi dhe përfundimisht më dënojnë me 18 muaj me kusht. Ndërkohë, kolegut tim i ndahet çështja dhe ai merr pafajësi. “I vetmi zyrtar që jam dënuar, isha unë. Askush tjetër. As gjyqtari që e la në hotel. As përfaqësuesit e akuzës që ndryshuan qendrim, njëherë në burg dhe njëherë në arrest shtëpie. As drejtuesit e policisë që ndryshonin urdhrat e kontrollit. Vetëm unë” përfundon ai.

Fiks Fare ka siguruar vendimin e gjykatës, që e la në arrest shtëpie në hotel Sebastjan Viljamov. Vendimi është dhënë në datën 12 nëntor 2018, nga gjyqtari Erjon Çela.

Në të thuhet se në datën 9 nëntor 2018, në Doganën e Morinës është arrestuar shtetasi Sebastjan Villjamov, lindur në Prizren Kosovë dhe banues në Beograd, Serbi, pasi në sistem rezultonte “kërkohet nga autoritetet kroate. Gjykata e Rijekës e kishte dënuar dy herë me nga 3 vite burg, me akuzat e plagosjes, evazionit, falsifikimit etj.

Pas arrestimit, Prokuroria e Kukësit ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit dhe caktimin si masë “arrest me burg”. Në vendim, shkruhet se “gjatë gjykimit të çështjes, organi i akuzës, i kërkoi gjykatës që ndaj të arrestuarit të caktohet masa e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe jo ajo e kërkuar fillimisht. Shkak u bë një deklaratë noteriale, ku pronarja e një hoteli ka deklaruar se mund të qëndrojë te hoteli “Gjallica”. Ndërkohë, në seancë, edhe mbrojtja ka kërkuar që të lihet në arrest shtëpie, siç kërkoi prokuroria!

Më tej, në vendim thuhet se “gjykata vlerëson se masa e sigurimit arrest me burg e kërkuar fillimisht nga organi i prokurorisë do të ishte masa e sigurimit më e përshtatshme, deri në pritjen e ekstradimit. Por, shkruan se, “gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rënda se ajo e kërkuar nga prokurori”. Sipas vendimit, “masa që duhet caktuar është ajo e arrestit shtëpiak. I arrestuari urdhërohet që të qëndrojë dhe të mos largohet nga adresa: “Hotel Gjallica”, në lagjen nr.2 në Kukës. Në pikën 3 të vendimit, shkruhet; urdhërohet Policia Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Kukës që të bëjë ekzekutimin e këtij vendimi. Pra, në asnjë rast në vendimin 11 faqesh, gjykata nuk ka urdhëruar ruajtjen e të arrestuarit me policë në hotel!!

Ndërkohë, në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penal shkruhet “gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij…”. Në pikën dy shkruan se “kur cakton këtë masë, gjykata përcakton edhe mënyrën e ekzekutimit dhe të mbikëqyrjes së saj”. Por, në asnjë rast, gjykata nuk ka përcaktuar mënyrën e ekzekutimit dhe mbikëqyrjes të të arrestuarit, duke e lënë në një hotel në mes të Kukësit! Çka solli më pas, arratisjen, jo nga qelia, por nga dhoma e hotelit!

***

Bisedë mes denoncuesit dhe drejtuesve të Policisë së Kukësit

Shefi i Rendit – Ju e dini shumë mirë, unë kam lënë 11 detyra me të shkrume, te procesverbali i marrjes dhe dorëzimit të shërbimit. Ndër të tjera unë kam thënë që kur e merr, kur e dorëzon, fizikisht duhet të jetë aty. Mbasandej, se çfarë erdhi pas kësaj, ju jeni përgjigj, është pjesë e sistemit të drejtësisë. Nuk ka drejtues që të thotë mos e ruaj Tahirin, s’ka ndonjë lidhje me mu.

Denoncuesi – Gjykata nuk e ka të shkrume që të ruhet me patrullë dhe atje thuhet që….

Shefi i Rendit – Ëëëë

Denoncuesi – Dhe Gjykata e Apelit…

Shefi i Rendit – Dëgjo, dëgjo. Aty thotë një rresht e shkruajtur bash me tre gërma që thotë “ka rrezik ikje”. Nuk e thotë që të ruhet me shërbimet e rendit!

Denoncuesi – Se këtë urdhrin tonë…

Denoncuesi – Unë du me e marrë me firmë që kam qenë planizu te vendi i paraburgimit në organikë.

Shefi i Rendit – Po. Po mirë ne të kena urdhëru. Ne s’të kena çuar privatisht, ne të kena çuar zyrtarisht. I planizu me shërbim

Denoncuesi – S’ka të drejtë patrulla të ruaj personat me arrest shtëpie…

Shefi i Rendit – E din ai! E dinë ata që e gjykojnë, jo unë (drejtuesit dhe ish-drejtuesit e Policisë së Kuksit).

Denoncuesi – Atëherë ti na ke thënë që me shku me shërbim atje.

Shefi i Rendit – Po, mo, këtë s’ta mohon kush. Këtë s’ta mohoj.

Denoncuesi – Kush e ka dhënë urdhrin?

Shefi i Rendit – Atëherë, nëpërmjet avokatit do të bësh një kërkesë zyrtare komisariatit, të protokollume.

Denoncuesi – Normal, të protokollume. Po drejtorit apo shefit të komisariatit?

Shefi i Rendit – Shefit të komisariatit. Ka qenë e protokollume (urdhri), ka qenë Agim Basha Shefi i Komisariatit, unë kam qenë Shef Rendi. Unë kam qenë autori që kam lënë detyra. (Kërkesa) duhet të jetë e protokollume në sekretari.

Denoncuesi – Jam djegur vetëm unë për këtë punë, ai që ka qenë me mua mori pafajësi.

Shefi i Rendit – Ok, në vendimin e Sebastianit, aty ka pas të shkrime në një faqe mbrapa thotë “ka rrezik ikje”.

Denoncuesi – S’ka pas siguri me e lënë atje, unë të kuptoj, Hotel “Gjallica” e di sa hektarë është.

Shefi i Rendit – Kurse tjetra, një shtetas i huaj me legjislacionin shqiptar, nuk duhet të ruhet me ambient privat. Ja kam thënë unë aty. Se keni qenë neglizhentë, është puna juaj.

Denoncuesi – Kemi qenë me komandantin e grupit tonë ditë e natë. Kanë qenë edhe dy policë para hotelit, ti e di shumë mirë.

Shefi i Rendit – Ku shkoi oficeri, Muharrem Kolaveri? A u përjashtua?!

Denoncuesi – Po.

Shefi i Rendit – Bëri shënimin pas ikjes së Sebastianit, te libri i planizimit të shërbimit, kush është ai që..

Denoncuesi – Po dhe Gani Gega, i ka kërkuar me heq telefonin (të arrestuarit). I ka thënë Drejtori i Policisë, lërë mos u merr me të, të merren policët e shërbimit…

Shefi i Rendit – Vetëm në sekretari e gjen…

Denoncuesi shkon të takojë oficerin Gani Gega

Denoncuesi – Për atë problemin tim, vetëm për atë fjalën që është shprehur, të ka thënë Drejtori i Policisë, lërë ta ruajnë shërbimet atje, ti s’ke punë aktualisht.

Oficeri Gani Gega –  Më ka thënë mua ai, s’të ka thënë ty!

Denoncuesi – E kuptoj që të ka thënë ty.

Oficeri Gani Gega – E kam bërë të madhe (telefonin e Sebastianit), edhe drejtori të merret patrulla s’ke punë… Mos u konflikto me të. Kaq!

FOTO GALERI
1/10

Top Channel