Emiratet e Bashkuara Arabe interceptuan dhe goditën mëngjesin e sotëm dy raketa balistike të drejtuara për në kryeqytetin e vendit, Abu Dhabi.
Zyrtarë të mbrojtjes thanë se ato janë lëshuar nga rebelët Huthi në Jemen të mbështetur nga Irani.
Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe nuk raportoi për viktima dhe sqaroi se raketat ranë në dy rajone të ndara pranë Abu Dabit. Por sakaq, një zëdhënës i rebelëve, Yahya Sarea tha se ata do të shënjestrojnë edhe disa zona kyçe të Dubait, ku siç tha do të përdorin dronë, por nuk specifikoi se për cilat rajone bëhet fjalë.
Sulmi me raketa pason atë të javës së kaluar kur u godit një depo karburantesh në Abu Dhabi, e humbën jetën tre persona. Koalicioni i udhëhequr nga sauditët u kundërpërgjigj, duke sulmuar një qendër ndalimi, të udhëhequr nga rebelët huthi. Nga ky sulm ajror u vrarë të paktën 82 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Zhvillime të tilla po i përshkallëzojnë akoma edhe më shumë tensionet në gjirin Persik pas luftës civile disa vjeçare që ka pllakosur Jemenin, duke shkaktuar veç të tjerash atje edhe një krizë të rëndë humanitare. Emiratet e Bashkuara Arabe janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga sauditët që ndërhyri në Jemen në 2015-tën, disa muaj pasi rebelët Huthi rrëzuan nga pushteti qeverinë në Sanaa, e cila gëzonte njohjen e komunitetit ndërkombëtar.
Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë e kanë akuzuar Iranin se i furnizon rebelët me pajisje ushtarake, përfshirë këtu dhe dronë e raketa, por Teherani mohon t`i ketë dhënë mbështetje këtij grupi.
Top Channel