Temperatura e acarta ‘mbërthejnë’ Dibrën/ Probleme në rrugë, prej tre ditësh shumë zona janë pa drita

23/01/2022 10:10

Gjatë natës së mbrëmshme termometri në qytetin e Peshkopisë ka shënuar vlerën më të ulët -16 gradë nën zero, ndërsa në zonat e thella temperaturat kanë shënuar edhe më shumë.

Ngricat dhe akulli në rrugë ka bërë që të shtohen problemet. Zonat e thella të Lurës, Selishtës,Reçit, Luznisë, Sllovës, dhe Kalasë së Dodës janë të izoluara, dhe prej 72 orësh një pjesë e tyre janë edhe pa energji elektrike.

Pa energji elektrike vijojnë prej 72 orësh edhe 3 Njësi Administrative në Bulqizë, Krasta, Ostreni, Trebishti dhe disa fshatra në Tërnovë.Një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm, për shkak se tubacionet kanë ngrirë si pasojë e temperaturave shumë të ulëta.

Situata rrugore është përmirësuar, por gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, drejtuesit e mjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm, pasi ka ngrica.

Policia apelon për përdorimin e gomave të dimrit dhe zinxhirëve. Drejtuesit e mjeteve duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme, dhe të reduktojnë shpejtësinë.

Aksi Peshkopi – Tiranë kalohet pa probleme, por duhet të tregohet kujdes në baypasin e Murrizit gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.

Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi me zinxhirë nga Ura e Veleshicës drejt Vasies

Aksi Peshkopi – Draj Reç – Kukës kalimi pjesërisht me zinxhirë.

Burime nga spitali Rajonal bëjnë me dije se nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore nga zonat e thella.

Top Channel